Pasaporta e vaksinës/ Disa vende turistike heqin kufizimet, kërkojnë dokument vaksinimi

Evropë

Pasaporta e vaksinës/ Disa vende turistike heqin kufizimet, kërkojnë dokument vaksinimi

Më: 24 janar 2021 Në ora: 09:19
Foto ilustrim

Fraza ‘Pasaportë vaksine’ ka një efekt sigurues pavarësisht se nuk është ekzaktësisht si dokumenti tradicional i udhëtimit që mban çdokush. Por, e shpalosur në një pikë kalimi kufitar, ajo mund të hapë dyer udhëtimi që për shumëkënd janë mbyllur nga Covid-19. Disa destinacione, si Seychelles, Qipro dhe Rumania, kanë hequr kërkesat për karantinë për vizitorët që mund të provojnë se janë vaksinuar.

Të tjerë, si Islanda dhe Hungaria, janë hapur për njerëzit që janë shëruar nga Covid-19. Dhe e gjithë kjo, ngre perspektivën se prova e imunizimit mund të jetë bileta e artë për të rilancuar udhëtimet dhe duket një lajm i mirë për njerëzit që duan që tani të prenotojnë pushimet e verës, pas muajsh të tërë izolim, ndërkohë që vaksinimi po merr jetë.

Pasaporta e vaksinës mund të cojë në hapjen e restoranteve, bareve, kinemave dhe ambjenteve të tjera të argëtimit, mbyllja e të cilëve ka shkaktuar jo pak probleme. Edhe kompani teknologjike po përpiqen të përfshihen duke zhvilluar aplikacione në smartfonë apo portofolë digjitalë në të cilët individët mund të upload-ojnë detajet e testeve të koronavirusit apo vaksinimit.

E gjithë kjo po mbështetet gjithnjë e më shumë nga industria e udhëtimeve. Organizata botërore e turizmit, ka bërë apel këtë javë për miratimin e pasaportës së vaksinës, si pjesë e masave më të gjera që do të kthenin botën sërish tek udhëtimet. Por sidoqoftë, koncepti i pasaportës së imunitetit, mbetet ende në perspektivë dhe mund të mos jetë në dispozicion për pushimet e verës së këtij viti.

Ideja u diskutua gjerësisht edhe në Bruksel, por pavarësisht dakordësisë për të ka edhe shqetësime se përdorimi i një pasaporte vaksinimi për të lehtësuar udhëtimet mund të rezultojë në trajtimin e të pavaksinuarve si qytetarë të dorës së dytë.

Kjo do të çonte në skenarë ku restorantet apo baret do të kërkonin provën e vaksinimit për klientët që kërkojnë thjeshtë një gotë verë, ose kompanitë e udhëtimit që i privojnë shërbimin të pavaksinuarve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat