Greqia në alarm nga varianti i ri i COVID-19

Evropë

Greqia në alarm nga varianti i ri i COVID-19

Më: 25 janar 2021 Në ora: 13:13
Greqi

Specialistet grekë të pandemisë kanë shprehur shqetësimin e tyre pas rritjes së rasteve me mutacionin e ri dhe më vdekjeprurës të koronavirusit, i cili u zbulua për herë të parë në Britani.

Sipas Organizmit Kombëtar të Shëndetit Publik, gjatë ditës së diel janë konstatuar 32 raste të reja, shumica e të cilave në periferinë e Athinës duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve me variantin e ri të COVID-19 në 59.

Greqia ka regjistruar shifra të ulëta të rasteve gjatë javës së kaluar dhe numri i të prekurve në 24 orët e fundit ishte 334 , numri i të intubuarve ka rënë në 288 dhe ai i viktimave në 24.

Por, pasi qeveria në bashkëpunim me komisionin e pandemisë kanë lehtësuar disa prej masave duke filluar me hapjen e dyqaneve me pakicë dhe të qendrave tregtare, pamjet kanë qenë shqetësuese sipas specialistëve pasi rrugët qendrore të Athinës dhe Selanikut janë mbushur me njerëz dhe distancat nuk janë respektuar.

Gjithashtu në fillim të shkurtit planifikohet edhe hapja e gjimnazeve dhe liceve, ndaj paralajmërohet se nëse do të ketë rritje të rasteve ,do të rikthehen masat kufizuese.

Gjithsesi ende nuk lejohet lëvizja e njerëzve nga një prefekturë në tjetrën, ndërsa vazhdon të jetë në fuqi ora policore dhe dalja me anë të mesazheve.

Mediat greke kanë transmetuar ndërkohe lajmin që është bërë publik nga disa mjekë të pandemisë për kurimin me ilaçin anti-inflamator colchicine, i cili ka ulur në mbi 40% vdekshmërinë në rastet e moshave mbi 60 vjeç, apo të atyre qe kanë historik të rënduar shëndetësor.

Mbrëmjen e së dielës, kreu i opozitës greke Aleksis Tsipras ka deklaruar se ka hyrë në karantine pasi një prej djemve të tij është konstatuar pozitiv me COVID-19.

“Megjithëse kam bëre të dy dozat e vaksinës do të qëndroj në karantinë në shtëpi, qe të përjashtoj ndonjë mundësi transmetimi tek të tjerët”, tha Tsipras.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat