Rifillojnë bisedimet Greqi-Turqi për mosmarrëveshjet detare

Evropë

Rifillojnë bisedimet Greqi-Turqi për mosmarrëveshjet detare

Më: 25 janar 2021 Në ora: 22:19
Ilustrim

Turqia dhe Greqia rifilluan bisedimet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të gjata detare të hënën, duke i dhënë fund një ndërprerjeje pesë-vjeçare. Mosmarrëveshjet çuan në disa muaj tensionesh mes dy vendeve të Mesdheut lindor.

Anëtarët fqinjë të NATO-s kanë pretendime të ndryshme rreth të drejtës së përdorimit të ujërave mesdhetare për shfrytëzimin e burimeve energjitike, hapësirën ajrore dhe statusin e disa ishujve në Detin Egje. Ata bënë pak përparim në 60 raunde bisedimesh nga vitit 2002 deri në 2016.

Planet për rinisjen e bisedimeve ngecën vitin e kaluar për shkak të dislokimit nga Turqia të një anijeje për studime sizmike në ujërat e debatueshme dhe mosmarrëveshjet rreth temave që ata do të duhej të diskutonin. Anija u tërhoq në brigjet turke vitin e kaluar.

Ankaraja dhe Athina ranë dakord këtë muaj për të rinisur bisedimet në Stamboll, në një përpjekje nga Turqia për të përmirësuar marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian, i cili ka mbështetur Greqinë anëtare të BE-së dhe e ka kërcënuar me sanksione Ankaranë për veprimet e saj në Mesdhe.

Ndërsa bisedimet rifilluan, Ministrja franceze e Mbrojtjes, Florence Parly tha se Franca do t'i paraqesë Greqisë propozime për rinovimin e flotës së saj të anijeve ushtarake dhe kishte përfunduar një marrëveshje prej 2.5 miliardë eurosh për t’i shitur Greqisë 18 avionë luftarakë Rafale të kompanisë franceze Dassault.

"Nën udhëheqjen e fortë të presidentit tonë, zgjidhja për të gjitha problemet, duke përfshirë Egjeun, është e mundur dhe vullneti ynë për këtë është i fortë", tha zëdhënësi i presidencës turke, Ibrahim Kalin, i cili ishte pjesë e bisedimeve të së hënës.

Uashingtoni i mirëpriti bisedimet, duke thënë se mbështeste përpjekjet për të ulur tensionet në Mesdheun lindor. "Shtetet e Bashkuara mirëpresin ... angazhimin e të dy qeverive në këtë proces", tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price në Twitter.

The United States welcomes the resumption of exploratory talks between Greece and Turkey in Istanbul today and the commitment of both governments to this process. We support all efforts to reduce tensions in the Eastern Mediterranean.

Bisedimet eksploruese kanë për qëllim të arrijnë pika të përbashkëta rreth çështjeve të debatueshme për t’i hapur rrugën negociatave zyrtare të nivelit më të lartë. Por, pavarësisht se ranë dakord të rifillojnë bisedimet, Ankaraja dhe Athina duket se nuk ishin pajtuar mbi temat që do të duhet të trajtoheshin në prag të takimit të së hënës.

Athina ka thënë se do të diskutonte vetëm përcaktimin e zonave ekskluzive ekonomike dhe ishujt kontinental në Detin Egje dhe Mesdheun lindor, jo çështjet e "sovranitetit kombëtar", ndërsa Ankaraja ka thënë se dëshiron diskutimin e të gjitha çështjeve, përfshirë hapësirën ajrore dhe ishujt e Egjeut.

Zëdhënësi i qeverisë greke Christos Tarantilis tha të hënën se Greqia po "merrte pjesë në bisedime me mirëbesim dhe pret që Turqia të veprojë në mënyrë të ngjashme", duke përsëritur qëndrimin grek se bisedimet janë jozyrtare dhe të përqendruara vetëm në zonat detare.

Axhenda për bisedimet e së hënës, të cilat zgjatën më shumë se tre orë, nuk u zbulua. Një raund tjetër bisedimesh pritet të mbahet në Athinë, tha një burim diplomatik grek, pa dhënë ndonjë detaj të mëtejshëm.

Pavarësisht nga mosmarrëveshjet teknike, të dyja palët shprehën optimizëm, megjithëse ato po shkëmbenin kritika në ditët përpara takimit të së hënës.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha javën e kaluar Greqia do t'i qaset bisedimeve me optimizëm, por "me zero naivitet", ndërsa Presidenti turk Tajip Erdogan tha se shpresonte që rinisja e bisedimeve të sillte një epokë të re.

Analistët kanë thënë se një përparim i menjëhershëm nuk ka të ngjarë të ndodhë, duke marrë parasysh dallimet dhjetra vjeçare të politikave, por që rifillimi i dialogut është një hap i parë i rëndësishëm pas presionit të Bashkimit Evropian ndaj Ankarasë./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat