Greqia marrëveshje me Francën për blerjen e avionëve luftarakë

Evropë

Greqia marrëveshje me Francën për blerjen e avionëve luftarakë

Më: 26 janar 2021 Në ora: 09:38
Foto

Greqia nënshkroi sot marrëveshje me vlerë disa miliardë eurosh me Francën për blerjen e 18 avionëve luftarakë Rafale të prodhuar nga Dassault.

Sipas Anadolu Agency, marrëveshja prej 2,5 miliardë eurosh u nënshkrua nga ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikos Panagiotopulos, dhe homologia i tij franceze, Florence Parly në Ministrinë e Mbrojtjes.

Panagiotopulos theksoi se blerja e avionëve luftarakë “është një moment historik në bashkëpunimin e mbrojtjes dhe marrëdhëniet midis Greqisë dhe Francës”, duke shtuar se Forca Ajrore Greke janë forcuar ndjeshëm.

Gjashtë avionët e parë të rinj do të mbërrijnë në Bazën e Forcave Ajrore “Tanagra” në korrik.

“Vendet tona ndajnë shumë gjëra të përbashkëta”, tha Parly, duke theksuar se shpreson që Marina Greke do të blejë anije franceze në kontekstin e rinovimit të flotës së saj.

“Franca së shpejti do t’i ofrojë Greqisë propozime për të rinovuar flotën e saj të fregatave“, shtoi ajo.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se blerjet e fundit ushtarake të Greqisë nuk janë kërcënim për asnjë vend tjetër.

“Në fund të fundit, mburoja e Greqisë nuk ka qenë kurrë një rrezik për një vend tjetër. Përkundrazi, ajo ka qenë gjithmonë një faktor sigurie në rajonin e gjerë“, tha ai pas takimit me ministren Parly.

Greqia planifikon të blejë 6 avionë të rinj Rafale dhe 12 avionë të përdorur nga Franca dhe do të shpenzojë 400 milionë euro për pajisjet e nevojshme.

Buxheti grek i mbrojtjes parashikohet të arrijë rreth 5,5 miliardë euro, më shumë se dyfishi i shpenzimeve të vitit të kaluar. Pavarësisht vështirësive ekonomike, Greqia shpenzoi 2,3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtje në vitin 2019.

Greqia ka ndërmarrë hapa për të përmirësuar forcat e saj ushtarake dhe kapacitetin mbrojtës, ndërsa në muajin maj pritet që shërbimi i detyrueshëm ushtarak në forcat tokësore të zgjatet nga 9 në 12 muaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat