Itali, qeveria e re në udhëkryq

Evropë

Itali, qeveria e re në udhëkryq

Më: 30 janar 2021 Në ora: 11:28
Giuseppe Conte

Partive politike në Itali u është lënë kohë deri të martën për të formuar një shumicë të re qeverisëse, pas dorëheqjes së kryeministrit, Giuseppe  Conte.

Në fund të tri ditëve konsultime me liderët politikë, presidenti Sergio Mattarella tha se negociatat do i vazhdojë tani krye-parlamentari, Roberto Fico, nga dhoma e ulët e kuvendit.

“Presidenti më ka dhënë mandatin për të verifikuar perspektivën e një shumice parlamentare duke nisur me grupet nga qeveria e mëparshme. Është moment delikat për vendin,” u shpreh Roberto Fico.

Qeveria italiane ka humbur balancën e saj që kur ish-kryeministri Mateo Renzi u tërhoq nga koalicioni, duke kritikuar krye-qeveritarin Conte për situatën me pandeminë dhe vizionin e tij.

Partitë “Lëvizja 5 Yjet” dhe ajo Demokratike që udhëheqin tani kabinetin e kanë ftuar Renzin të ri-hyjë në koalicion dhe t’i japë një shans të ri kryeministrit në detyrë.

“Politikanët duhet t’i zgjidhin problemet, jo t’i shtojnë ato. Për Lëvizjen 5 Yjet, personi i vetëm që mund ta drejtojë vendin me seriozitet dhe me efikasitet në këtë fazë komplekse, është Giuseppe Conte,” tha Vito Crimi, udhëheqësi i Partisë “Lëvizja 5 yjet.”

Ndërkohë opozita, me në krye Matteo Salvini, Silvio Berlusconi dhe Giorgia Meloni  qëndron e bashkuar rreth idesë se qeverinë e re duhet ta përcaktojnë votuesit në bazë të zgjedhjeve.

“Kriza e shkaktuar nga zënkat, nga vaniteti dhe interesat personalë të anëtarëve të qeverisë kërkojnë zgjidhje të shpejtë dhe vendimtare. I kërkuam presidentit që të vlerësojë mundësinë e shpërndarjes së parlamentit. Nuk përkrahim mazhoranca që e mbajnë peng vendin prej javësh,” tha Matteo Salvini.

Presidenti italian, Mattarella, ka apeluar partitë të dalin sa më shpejt nga ngërçi politik pasi vendit i duhet të miratojë me urgjencë paketa ekonomike për të luftuar pandeminë e Covid-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat