Britani, 105 të infektuar me variantin jugafrikan të koronavirusit

Evropë

Britani, 105 të infektuar me variantin jugafrikan të koronavirusit

Më: 2 shkurt 2021 Në ora: 06:45
Ilustrim

Sekretari i Shëndetësisë së Britanisë, Matt Hancock, tha të hënën se janë identifikuar 105 raste infektimesh me variantin e koronavirusit të zbuluar për herë të parë në Afrikën e Jugut. Sipas tij, 11 prej të infektuarve nuk kanë patur lidhje me udhëtimet ndërkombëtare.

Duke folur për median, zoti Hancock tha se autoritetet e shëndetësisë kanë në plan të testojnë 80 mijë njerëz nga zonat ku kanë rezultuar të infektuarit në Britani për të izoluar dhe ndaluar përhapjen e mutacionit të ri.

Image
Sekretari i Shëndetësisë së Britanisë, Matt Hancock

Aktualisht nuk ka asnjë provë që sugjeron se ky variant është më i ashpër, por ne duhet të veprojmë me shpejtësi kundër tij, dhe do ta bëjmë këtë”, tha ai.

Zoti Hancock tha se shtimi i testimeve ka vënë në objektiv zonat ku është gjetur varianti i ri dhe se çdo rast pozitiv po analizohet. Ai tha se punonjësit e shëndetësisë në bashkëpunim me autoritetet lokale po trokasin derë më derë për të testuar njerëzit në ato zona.

Zyrtari i lartë britanik tha të hënën se Mbretëria e Bashkuar kishte vaksinuar deri tani 9.2 milionë njerëz kundër koronavirusit, përfshirë 931,204 vaksinime gjatë fundjavës.

Ai po ashtu njoftoi se Britania ka porositur rreth 40 milionë doza të tjera vaksinash të zhvilluara nga kompania franceze Valneva, ndërsa qeveria përgatitet mbi mundësinë e përsëritjes së vaksinimit për të mbajtur nën kontroll virusin.

Vaksina, e cila po prodhohet në Skoci, ende po u nënshtrohet provave klinike dhe nuk është miratuar nga organet rregullatore.

Britania ka patur shpërthimin më vdekjeprurës të koronavirusit në Evropë me mbi 106,000 të vdekur, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins. Ai vend po zbaton një nga programet më të shpejta të vaksinimit në botë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat