Mbretëria e Bashkuar fillon testimin “derë më derë”, për të “këputur zinxhirin” e përhapjes së varianteve të reja të coronavirusit

Evropë

Mbretëria e Bashkuar fillon testimin “derë më derë”, për të “këputur zinxhirin” e përhapjes së varianteve të reja të coronavirusit

Më: 2 shkurt 2021 Në ora: 11:46
Foto ilustrim

Mbretëria e Bashkuar fillon të martën një testim “derë më derë” për COVID-19 të 80,000 njerëzve, në një përpjekje për të ndaluar përhapjen e një varianti të ri shumë infektues të Afrikës së Jugut të coronavirusit të ri.

Sipas medieve të huaja, autoritetet shëndetësore të Anglisë kanë thënë se kanë identifikuar një total prej 105 rastesh të variantit të Afrikës së Jugut që nga 22 dhjetori, dhe për të përmbajtur shpërthime të reja, banorët në tetë zona të vendit tani do të testohen nëse janë apo jo duke shfaqur simptoma.

Siç bëhet e ditur më tej, ka rreth 10,000 njerëz në secilën zonë. Tri janë në Londër, dy në juglindje, një në Anglinë qendrore, një në lindje dhe një tjetër në veriperëndim.

Mediat britanike bëjnë të ditur se ata në zonat e prekura do të testohen, edhe nëse janë asimptomatikë, për të “këputur zinxhirin” e transmetimit në komunitet.

“Është shqetësuese – është thellësisht shqetësuese”, ka thënë ministri i ri i arsimit Michelle Donelan për Sky. “Është ende një fazë shumë e rrezikshme e këtij virusi dhe ne kemi të përhapur këto variante të reja”.

Ndryshe, numri i rasteve të reja me coronavirus në Britani po “nivelohet ose po bie” pas një rritje të infeksioneve në fund të vitit të kaluar, i nxitur nga një variant më i transmetueshëm i gjetur në juglindjen e Anglisë.

Në këtë drejtim, Britania po përgatit një program vaksinimi masiv, me gati 9.3 milionë njerëz që kanë marrë dozën e parë të vaksinës dhe qeveria dhe zyrtarët shëndetësorë janë të shqetësuar se variante të reja do të minojnë përpjekjet e saj për të vënë nën kontroll pandeminë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat