Franca nuk gjen qetësinë nga COVID-19, shefi i federatës së spitaleve bën thirrje për bllokim të ri

Evropë

Franca nuk gjen qetësinë nga COVID-19, shefi i federatës së spitaleve bën thirrje për bllokim të ri

Më: 5 shkurt 2021 Në ora: 11:55
Foto ilustrim

Kreu i federatës së spitaleve të Francës bëri thirrje të premten për një bllokim të ri mbarëkombëtar për të frenuar përhapjen e infeksioneve nga COVID-19, në shenjën e fundit të tensioneve midis qeverisë dhe zyrtarëve shëndetësorë mbi këtë çështje.

Sipas France24, Frédéric Valletoux, i cili është gjithashtu kryebashkiak i Fontainebleau në jug të Parisit, i tha LCI TV se ndërsa situata në spitale ishte nën kontroll tani për tani, ajo mbetet “shumë e tensionuar” në shumë zona.

Valletoux foli një ditë pasi kryeministri Jean Castex tha se situata Covid-19 në Francë ishte “e brishtë” por nuk justifikonte një bllokim të ri për momentin.

Castex tha se shkalla e infeksionit nuk ishte rritur ndjeshëm gjatë dy javëve të fundit, edhe nëse presioni mbi spitalet franceze mbetet i fortë.

“Ne duhet t’i përmbahemi kufizimeve aktuale që kemi tashmë […] por situata sot nuk justifikon një bllokim të ri kombëtar”, ka thënë ai në një konferencë shtypi.

Por fjalët e tij binin në kundërshtim me pikëpamjet e shprehura nga disa mjekë kryesorë francezë, vlerëson France24.

Të premten, kreu i sëmundjeve infektive në spitalin Saint Antoine në Paris tha se masat e reja për të frenuar përhapjen e infeksioneve ishin “të pashmangshme”.

“… dhe për ta ulur atë, masat e reja kufizuese do të jenë të pashmangshme”, ka thënë Karine Lacombe.

Ndryshe, Franca vendosi dy mbyllje mbarëkombëtare vitin e kaluar dhe aktualisht ka një nga shtetrrethimet më kufizuese në botë, që shtrihet nga ora 6 në mbrëmje deri në 6 të mëngjesit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat