Londra tmerrohet nga pesë sulme me thika brenda dy orëve

Evropë

Londra tmerrohet nga pesë sulme me thika brenda dy orëve

Më: 6 shkurt 2021 Në ora: 16:00
Londër

Një person është vrarë dhe nëntë të tjerë janë plagosur gjatë një nate të tmerrshme dhune në pjesën jugore të Londrës.

Pesë raste të ndara të sulmeve me thika ndodhën brenda një periudhe prej dy orësh në zonën Croydon. Megjithatë, policia tha se nuk ka asnjë shenjë që sulmet të kenë qenë të lidhura.

Një djalë 22 vjeç u gjet i vdekur brenda një shtëpie në Croydon, afër stadiumit të klubit të Premier Ligës angleze, Crystal Palace, shkruan Metro UK.

Një banore, që ka jetuar në këtë zonë për më shumë se 20 vjet, tha se pa policë dhe mjekë që po mundoheshin ta shpëtonin një të ri shumë të gjakosur.

“E dëgjova dikë duke bërtitur, por është normale, sepse njerëzit jashtë pinë. Erdha poshtë dhe pashë dy policë dhe dy mjekë te personi i plagosur. Ata vërtet u munduan shumë për ta shpëtuar, por kishte shumë gjak”, tha dëshmitarja që deshi të mbetet anonime.

Një person tjetër që u gjet në këtë shtëpi u dërgua në spital para se të vinte policia. Gjendja e tij besohet se është jashtë rrezikut për jetën.

Ky incident ishte një nga pesë sulmet me thikë që ndodhën në mbrëmjen e së premtes në Croydon. Të gjitha rastet ndodhën nga ora 18 e 56 deri në 21 e 12 minuta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat