Masat kufizuese në Europë, ashpërsim në Danimarkë e Austri, lehtësim në Poloni e Francë

Evropë

Masat kufizuese në Europë, ashpërsim në Danimarkë e Austri, lehtësim në Poloni e Francë

Më: 7 shkurt 2021 Në ora: 17:48
Foto ilustrim

Rreth 600 persona mbushën rrugët e Kopenhagenit, duke mbajtur objekte piroteknike për të protestuar kundër masave anti-COVID të marra nga qeveria, përfshirë atë për “pasaportën e vaksinimit”.

Pasi u mblodhën para Parlamentit, demonstruesit marshuan nëpër qendrën e qytetit për më shumë se 2 orë.

Grekët ishin më të qetë. Rrugët dhe sheshet në kryeqytetin Athinë ishin të boshatisura mbrëmjen e së shtunës, kur një shtetrrethim kundër përhapjes së COVID hyri në fuqi.

Qeveria greke njoftoi të premten një shtetrrethim të ri në Atika dhe dy rajone të tjera, që do të qëndrojë në fuqi të paktën deri më 15 shkurt.

Në Austri, qeveria do të zbatojë rregulla të reja për dyqanet, përfshirë supermarketet, duke nisur nga e hëna, vetëm 1 klient për 20m katrorë.

Të hënën, shërbime si sallonet e bukurisë do të mund të vizitohen të pajisur me një test negativ.

Qeveria polake njoftoi ndërkohë të premten se do të lehtësojë disa nga masat kufizuese.

Pronarët e hoteleve dhe resorteve të skive, por edhe turistët e mirëpritën këtë vendim. Polonia do të rihapë hotelet, qendrat e argëtimit dhe pistat sportive më 12 shkurt. Lehtësimi i masave do të jetë në fuqi për 2 javë.

Ndërkohë, teleferikët e dëborës në Francë do të mbeten të mbyllur përgjatë shkurtit, edhe pse pistat e skive do të jenë të hapura.

Aktualisht Franca nuk ndodhet në izolim total dhe në teori njerëzit janë të lirë të vizitojnë resorte e të qëndrojnë në hotele, por teleferikët janë mbyllur duke zbehur sezonin.

Ndërkohë, ndërprerja dyjavore e shkollave nisi të shtunën në disa pjesë të vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat