Pasaporta e vaksinës ndan BE-në/ Greqia pro, Franca dhe Gjermania kundër

Evropë

Pasaporta e vaksinës ndan BE-në/ Greqia pro, Franca dhe Gjermania kundër

Më: 10 shkurt 2021 Në ora: 19:08
Foto ilustrim

Ideja e një pasaporte të vaksinimit e ka përçarë Bashkimin Europian. Vendet bregdetare të bllokut janë ato që e mbështesin me forcë një plan të tillë, e kjo për shkak se një pjesë e ekonomisë së tyre varet nga turizmit.

Greqia ishte ajo që drejtoi muajin e kaluar Brukselit një apel për të lejuar “certifikatat e vaksinës” të përdoren për udhëtime në BE. Në fillim të javës, shteti helen firmosi edhe një marrëveshje me Izraelin që mundëson udhëtimin e personave të vaksinuar. Brenda bllokut 27 anëtaresh po zhvillohen diskutime te ethshme për rregullat e përbashkëta mbi të dhënat e pacientëve dhe njohjen e certifikatave të vaksinave. Spanja është shumë e interesuar për të pasur turistë, por ende nuk ka lëshuar një “pasaportë vaksinimi”.

Italia po ashtu beson se një dokument i tillë mund të hapë rrugën e kthimit në aktivitete normale. Suedia dhe Danimarka kanë shpallur tashme certifikatat elektronike, në bazë të të cilave mund të bëhen udhëtimet jashtë vendit. Kështu në Danimarke, personave të pajisur me dokumente të tilla u lejohet të darkojnë në restorante. Franca sakaq është skeptike.

“Nuk kanë të gjithë qasje në vaksina. Pastaj, ne nuk e dimë nëse ato parandalojnë transmetimin”, tha ministri i Shëndetësisë Olivier Veran. Gjermania është gjithashtu kundër që një pakicë e njerëzve të vaksinuar të gëzojnë privilegje të cilat u ndalohen të tjerëve. Sipas AFP, në Bashkimin Evropian janë vaksinuar me dy doza të vaksinës vetëm 5.5 milionë persona, që përbën 1.2 për qind të popullsisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat