Hungaria kritikohet për mbyllje të radios së fundit të pavarur

Evropë

Hungaria kritikohet për mbyllje të radios së fundit të pavarur

Më: 12 shkurt 2021 Në ora: 10:59
Udhëheqësi i Klubradios, Andras Arato.

Pezullimi i licencës për radion e vetme të pavarur në Hungari, është pritur me kritika pasi Bashkimi Evropian dhe vëzhguesit e mediave e kanë cilësuar këtë vendim si sulm ndaj demokracisë në këtë vend anëtar të bllokut evropian.

“Ne kemi shprehur shqetësimet tona për liri të mediave dhe pluralizëm”, në Hungari, e cila veçse është duke u hetuar për shkeljen e sundimit të ligjit, ka thënë 10 shkurt zëdhënësi i Komisionit Evropian, Christian Wigand, një ditë pasi Klubradio, ka humbur apelin për të mbajtur licencën.

Rasti me këtë radio “vetëm rrit këto shqetësime”, ka shtuar Wigand.

Klubradio transmeton kryesisht në Budapest.

Lajmet dhe bisedat që realizon janë shpesh kritike për qeverinë e kryeministrit hungarez, Viktor Orban.

Në shtator të vitit 2020, Autoriteti Kombëtar për Media dhe Infokomunikime, ka refuzuar të vazhdojë licencën shtatëvjeçare për Klubradion, e cila skadon më 14 shkurt, duke thënë se ky stacion ka shkelur ligjin për regjistrim të detyrueshëm, duke dorëzuar dokumentet me vonesë.

Shkelje të tilla zakonisht përcillen me gjoba, derisa njoftimi i këtij institucioni ka ngritur shqetësime për presionin politik të qeverisë mbi mediat në Hungari.

“Një tjetër zë heshtet në Hungari. Një tjetër ditë e rëndë për lirinë e mediave”, ka thënë Komisionarja e Këshillit të Evropës për të Drejta të Njeriut, Dunja Mijatoviq.

Organizata me bazë në Paris, Reporterët pa Kufij, ka dënuar atë që e ka cilësuar “goditje të madhe ndaj pluralizmit medial”, dhe i ka bërë thirrje Komisionit Evropian që “të ndalë shtyrjen e dënimit ndaj pavarësisë së Autoritetit Kombëtar për Media dhe Infokomunikime, dhe ndihmës shtetërore për mediat pro-qeveritare”.

Zëdhënësi i Qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs, ka thënë se menaxhimi i Klubradios duhet të fajësohet për këtë vendim, pasi ka “shpërfillur rregulloret e transmetimit”.

Më 9 shkurt, apeli i Klubradios në një gjykatë në Budapest për të detyruar Autoritetin Kombëtar për Media dhe Infokomunikime që të lëshojë përkohësisht licencë për transmetim, është hedhur poshtë, duke ndalur valët e transmetimit ndonëse radioja do të vazhdojë programin e saj online.

Duke e quajtur këtë vendim “të turpshëm dhe frikacak”, presidenti i Klubradios Andras Arato, ka thënë se ky radio stacion tani planifikon të apelojë vendimin në Gjykatën Supreme të Hungarisë.

Christian Wigand, ka thënë në një konferencë për media më 10 shkurt se Komisioni Evropian “është në kontakt me autoritetet hungareze për të siguruar se Klubradio mund të vazhdojë të operojë ligjërisht”, duke shtuar se Komisioni është duke analizuar edhe nëse vendimi është në përputhje me ligjin e BE-së dhe nuk do të hezitojë në “marrjen e masave, nëse është e nevojshme”.

Përmes një deklarate, Pavol Szalai, udhëheqës i Departamentit për Ballkanin dhe BE-në te Reporterët pa Kufij, i ka bërë thirrje Komisionit Evropian “të mos shtyjë më shumë hetimin e pavarësisë së Autoritetit Kombëtar për Media dhe Infokomunikime, përmes direktivës evropiane për mediat që transmetojnë, si dhe të hetojë kufizime tjera, siç është ndihma shtetërore për media pro-qeveritare”.

Hungaria është duke u hetuar nga BE-ja për dëmtim të pavarësisë së gjyqësorit, mediave dhe organizatave joqeveritare, dhe rrezikon të humbë qasjen në dhjetëra miliarda euro si fonde nga blloku evropian.

Ky vend anëtar i BE-së renditet i 89-ti nga 180 sa janë gjithsej në Indeksin Botëror për Liri të Mediave, të përpiluar nga Reporterët pa Kufij.

Vetëm Bullgaria, në vendin e 111-të, renditet në pozitë më të ulët sa u përket 27 vendeve anëtare të BE-së.

SHBA: Diversiteti i zërave të pavarur është thelbësor për demokracinë

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur po ashtu shqetësim lidhur me këtë vendim.

Ned Price, zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë më 11 shkurt se SHBA-ja është shumë e shqetësuar për rënie të pluralizimit medial në Hungari.

“Humbja e licencës së transmetimit të një prej radio stacioneve më të popullarizuara, Klubradio, kërcënon largimin e një tjetër zëri të pavarur nga valët e Hungarisë. SHBA-ja ndan shqetësimin e mbrojtësve të lirisë së fjalës në gjithë botën dhe shumë hungarezëve lidhur me rënie të pluralizimit medial në Hungari”.

Mes tjerash në deklaratë është thënë edhe se, “SHBA-ja është e përkushtuar për të forcuar bashkëpunimin me Hungarinë, një aleate e NATO-s dhe të çojë përpara përkushtimin e administratës Biden për të mbështetur institucionet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat