Qeveria finlandeze shtërngon masat antiepidemike

Evropë

Qeveria finlandeze shtërngon masat antiepidemike

Nga: Lili Verdha Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 11:46
Qeveria finlandeze

HELSINKI, 25.2.2021 - Pas Mbledhjeve maratonë të ditëve të fundit të Qeverisë Finlandeze me specialistët e sektorit të Shëndetësisë, sot në mëngjes n'orën 9:30 (lokale), në Konferencën e posaçme të Shtypit të kryetarëve të të pesë partive të Koalicionit Qeveritar ??, u njoftua se, si pasojë e përkeqësimit të shpejtë të situatës pandemike dhe nën influencën e varianteve të reja të virusit Korona, duke filluar nga data 8 Mars, për 3 javë (8-28.3), Finlanda kalon në "Gjëndjen e Veçantë", apo "Fazën 2" (nga 3 Fazat e mundëshme), të masave kufizuese antiepidemike. Vendimi u mor mbrëmë vonë, pas Mbledhjes së djeshme të Kryeministres Sanna Marin (SD) me kryetarët e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Parlament, si edhe pas konsultimit me Presidentin Sauli Niinistö. Pra ky Vendim u mor në përputhje të plotë me Kushtetutën e Finlandës, që parashikon se vendime të tilla kufizuese duhen marrë në unitet Qeveri-President-Parlament.

"Faza 2" nënkupton mbylljen e mjediseve kulturore dhe sportive (të tilla si bibliotekat, kinematë, teatrot, muzeumet, pishinat, sallat dhe qendrat sportive, saunat publike, diskot, klubet e natës etj.), ndalimin e veprimtarive jashtshkollore për moshat 12 vjeç e lart, shkurtim të mëtejshëm të orareve të funksionimit të restoranteve dhe qendrave të tjera të shërbimit publik, kufizim qarkullimi të njerëzve nga një krahinë në tjetrën brenda vendit, si edhe shtërngim maksimal të lëvizjes së udhëtarëve jashtë apo nga jashtë-brënda Finlandës. Klasat 5-9 të arësimit 9-vjeçar, gjimnazet dhe shkollat e larta vazhdojnë apo kalojnë në mësimet në distancë, ndërsa Shkollat fillore dhe Kopshtet vazhdojnë të jenë të hapura, me kusht që të zbatojnë rregullat strikte të higjienës antiepidemike. Gjithashtu ndalohet grupimi i njerëzve në më shumë se 6 veta. Shteti do të vazhdojë të kompensojë bizneset për minimizimin e humbjeve financiare të shkaktuara nga këto masa të domosdoshme.

Nga ana tjetër, shëtitjet në ajër të pastër nuk ndalohen, por, sidoqoftë, kërkohet nga seicili mbajtja e maskave dhe zbatimi i rregullave higjienike antiepidemike dhe masave të shpallura sot.

Image

Qytetet dhe krahinat e detyruara për zbatimin e Fazës 2 janë kryeqyteti Helsinki dhe krahina Uusimaa, krahina Varsinais-Suomi (me kryeqendër qytetin Turku), krahina Satakunta (me kryeqendër qytetin Pori), krahina Kanta-Häme (me kryeqendër qytetin Hämeenlinna), qyteti Vaasa, krahina Lappi (me kryeqendër qytetin Rovaniemi), si edhe krahina autonome Ahvenanmaa (Åland, me kryeqendër qytetin Mariehamn). Veç këtyre, kufizimet u rekomandohen edhe 9 krahinave të tjera.

Siç shihet edhe në Hartën Epidemike botuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit dhe Mirëqënies (THL), javët e fundit Finlanda, sidomos krahinat jugore Uusimaa (me kryeqendër Helsinkin) dhe Varsinais Suomi (me kryeqendër qytein Turku), po përjeton një përkeqësim të ndjeshëm të shkallës së infektimit me virusin Korona dhe variantet e tij të reja (britanik, afrikano-jugor etj.). Pavarësisht faktit se gjatë gjithë kësaj periudhe një-vjeçare Finlanda ka pasur relativisht më pak të prekur apo viktima në njerëz në krahasim me fqinjët Skandinavë e Balltikë dhe shtetet e tjera të Bashkimit Europian, këto 5 javët e fundit në vend janë rregjistruar deri 2.000 raste të sëmurësh, 5.000 vetë të futur në karantinë, përhapje e shpejtë masive e infektimit në kantieret e mëdha të ndërtimit, infektim i rrezikshëm në shkolla dhe kopshtet e fëmijëve etj. Ndërkohë, deri dje n'orën 13:08 në Finlandë u vaksinuan 302.342 persona, ndërsa që nga fillimi i epidemisë në të gjithë vendin janë rregjistruar 55.122 të infektuar dhe 737 humbje jete.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat