Franca ndryshon qëndrimin për vaksinën AstraZeneca

Evropë

Franca ndryshon qëndrimin për vaksinën AstraZeneca

Më: 2 mars 2021 Në ora: 11:41
Foto ilustrim

Qeveria e Francës tha se njerëzit e moshuar, me kushte para-ekzistuese të sëmundjeve, mund ta marrin vaksinën AstraZeneca kundër koronavirusit.

“Njerëzit e prekur nga sëmundje të tjera, mund të vaksinohen me AstraZeneca, përfshirë edhe njerëzit e moshës midis 65 dhe 74 vjeç”, tha ministri francez i Shëndetësisë, Olivier Veran.

Deklarata paraqet një ndryshim qëndrimi për këtë çështje.

Muajin e kaluar, Franca ka miratuar përdorimin e vaksinës AstraZeneca vetëm për njerëzit nën moshën 65-vjeçare, duke përmendur mungesën e të dhënave për njerëz më të moshuar.

Vaksina e kompanisë AstraZeneca, e bërë në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, përdoret gjerësisht në Mbretërinë e Bashkuar, por disa vende të Bashkimit Evropian, përfshirë Gjermaninë, e kanë limituar atë te personat nën 65 vjeç.

Rregullatori i BE-së për barnat e ka miratuar vaksinën për të gjithë të rriturit, por i takon secilit vend anëtar të përcaktojë politikën e tij të përdorimit.

Në muajin janar, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se vaksina AstraZeneca është “pothuajse joefektive” për grupmoshat e vjetra - një pretendim që atëbotë është kundërshtuar fuqishëm nga zyrtarët dhe shkencëtarët britanikë.

Por, me daljen e të dhënave të tjera, zyrtarët francezë të shëndetësisë kanë bërë përpjekje t’i bindin njerëzit se AstraZeneca është po aq e sigurt dhe efektive sa edhe vaksinat e tjera kundër koronavirusit, shkruan agjencia e lajmeve AFP.

Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë në Francë tregojnë se vetëm 273,000 doza të vaksinës AstraZeneca janë administruar në këtë vend deri në fund të shkurtit, nga 1.7 milion doza sa ka në total.

Franca është ndër vendet më të prekura në Evropë nga koronavirusi.

Mbi 3.8 milionë njerëz janë infektuar atje dhe mbi 87,000 kanë vdekur./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat