“Infodemia” dëmton suksesin e hershëm të vaksinimit në Serbi

Evropë

“Infodemia” dëmton suksesin e hershëm të vaksinimit në Serbi

Më: 4 mars 2021 Në ora: 17:22
Një qendër vaksinimi në Beograd.

Serbia ka nisur herët të miratojë vaksina joperëndimore kundër koronavirusit, me rrezikun se braktisja e fqinjëve evropianë mund të jetë shkatërruese në luftën kundër pandemisë.

Kërkesa për ndonjërën nga katër vaksinat që ofron Serbia, mbetet prapa furnizimeve, me gjithë sigurimin e së paku 2 milionë dozave tashmë.

Dy nga vaksinat - Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca - janë miratuar nga rregullatorët evropianë, ndërsa dy të tjerat - Sinopharm e Kinës dhe Sputnik V e Rusisë - nuk janë miratuar.

Fushata e vaksinimit në Serbi përcillet me teori konspiracioni kundër imunizimit, por edhe me lëvdata për Qeverinë si lidere në garën globale për vaksinim.

”Janë disa informacione që ndryshojnë vazhdimisht, shkëmbehen, përgenjështrohen: këto [vaksina] ndikojnë [në lindjen e fëmijëve], këto jo, këto nuk janë testuar”, thotë Emill, një 29-vjeçar nga Nishi, qyteti i tretë më i madh i Serbisë.

Ai thotë se nuk ka besim në vaksinim.

“Disi nuk është vetëm besimi, por edhe pasiguria nëse ata njerëz e dinë se për çfarë flasin”.

Image
Një grua duke u vaksinuar me vaksinën kineze Sinopharm në Beograd.

Nevena, një tjetër qytetare e Nishit, 28 vjeçe, thotë se ka frikë se si mund të ndikojë vaksina në fetusin e saj.

“Duhet së paku një vit që vaksina të testohet për përdorim, në mënyrë që të jetë e sigurt. Shumë shkencëtarë thonë se nuk është ekzaminuar ende gjithçka”, thotë ajo.

Ekspertët dhe studiuesit e shëndetit pranojnë se nuk ka pasur testime të mëdha klinike të vaksinave në gratë shtatzëna, por thonë se ato nuk kanë pasur efekte të dëmshme në kafshët laboratorike shtatzëna dhe se ata po i monitorojnë nga afër pacientet shtatzëna gjatë vaksinimit.

Ata po ashtu thonë se gratë shtatzëna janë në rrezik më të madh se shumica e njerëzve për të pasur simptoma të rënda të sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi.

Si Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ashtu edhe Qendrat Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve i këshillojnë gratë shtatzëna të vaksinohen.

Jo, faleminderit

Regjistrimi për vaksinim është hapur për afro shtatë milionë banorët e Serbisë qysh më 11 janar, kryesisht përmes një portali online.

Deri më 27 shkurt, sipas shifrave të Qeverisë serbe, janë administruar mbi 21 doza në 100 banorë.

Për secilën vaksinë të miratuar në Serbi deri më tash, rekomandohen nga dy doza, që ajo të jetë sa më efektive.

Me shifrat e raportuara, Serbia zë vendin e pestë në botë sa i përket vaksinimit - pas Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara.

Por, mbi gjashtë javë pas nisjes së fushatës së vaksinimit, vetëm rreth 1 milion njerëz në Serbi janë regjistruar për të marrë vaksinën deri në fund të shkurtit.

Kjo do të thotë se rreth 5.5 milionë serbë nuk nxitohen.

Por, edhe pse shkalla e vaksinimit në Serbi ka tejkaluar pjesën më të madhe të Evropës dhe botës në gjysmën e dytë të shkurtit, niveli i infektimeve me koronavirus atje është rritur.

Marija Gnjatoviq, hulumtuese në Institutin për Zbatimin e Energjisë Bërthamore në Beograd, thotë se njerëzit janë relaksuar shumë dhe dinë shumë pak se kur mund të konsiderohen të mbrojtur në njëfarë mënyre.

Shumica e serbëve deri më tani kanë marrë vaksinën kineze Sinopharm, thotë ajo.

“Kjo vaksinë është shumë cilësore dhe shumë e mirë, me pak efekte anësore, por prodhon antitrupa më ngadalë, krahasuar me teknologjitë [e reja], si vaksinat Pfizer dhe Sputnik V”, thotë Gnjatoviq.

“Nuk mund t’i shohim ende efektet e vaksinimit në Serbi. Ato do të jenë të dukshme vetëm brenda një apo dy muajsh”, shton ajo.

Shumica e ekspertëve mendojnë se për të arritur imunitetin e tufës kundër sëmundjes COVID-19, duhet të vaksinohet së paku 70 apo 80 për qind e popullatës.

Sipas OBSH-së, imuniteti i tufës kundër fruthit kërkon vaksinimin e rreth 95 për qind të popullatës, ndërsa për poliomielit 80 për qind.

Një anëtar i shtabit të krizave të Qeverisë së Serbisë, epidemiologu Branisllav Tiodorovoq, ka thënë më herët se imuniteti i tufës kundër koronavirusit mund të arrihet me vaksinimin e 60 për qind të popullatës. Ai po ashtu ka parashikuar se Serbia do të futet në verë vetëm me raste sporadike.

Por, për të arritur edhe këtë prag të ulët, Serbia duhet të vaksinojë edhe tre milionë njerëz.

Shumë e politizuar

Kjo mund të jetë sfiduese, marrë parasysh politizimin intensiv të sëmundjes COVID-19 dhe të përpjekjeve për vaksinim në Serbi.

Zyrtarët e lartë serbë, duke filluar me presidentin Aleksandar Vuçiq, e kanë minimizuar shpërthimin e koronavirusit në fillim.

Një anëtar tjetër i shtabit aktual të krizave të Qeverisë serbe, Branimir Nestoroviq, duke qëndruar pranë Vuçiqit, u ka thënë grave se mund të shkojnë të bëjnë pazare në Itali në fund të shkurtit, 2020 - në kohën kur ai vend po bëhej epiqendër e koronavirusit në Evropë.

Vuçiq dhe Qeveria shpejt janë zhvendosur në izolim, por e kanë rihapur vendin përpara zgjedhjeve në verë, përkundër rasteve në rritje dhe provave se shifrat e infeksionit po fshiheshin.

Pas bojkotit të opozitës, Vuçiq dhe Partia e tij Përparimtare Serbe kanë dalë fitues të zgjedhjeve.

Nga mesi i janarit, Vuçiq ka nisur me marrjen e 1.5 milion dozave të vaksinës kineze, duke e bërë Serbinë vendin e parë në Evropë që e merr këtë vaksinë.

Rregullatorët e ilaçeve në OBSH dhe BE nuk e kanë miratuar ende as vaksinën Sinopharm, as Sputnik V të Rusisë.

Dario Hajriq, sociolog dhe komentues politik, kritikon politizimin në përhapjen e vaksinave, duke e cilësuar si “problem të madh”.

“Së pari, kemi pasur një tallje të turpshme me virusin, pastaj dr Nestoroviq është promovuar si yll i mediave, pastaj kemi pasur mashtrime me numrat realë të të infektuarve dhe viktimave përpara zgjedhjeve dhe pastaj blerja e vaksinave është shndërruar në një arritje personale të presidentit”, thotë Hajriq.

“E gjithë kjo e minon besimin në shtet, në shtabin e krizave, në sistemin e kujdesit shëndetësor”, shton ai.

Sipas tij, “infodemia” e keqinformimit - një term që fillimisht është përdorur nga OBSH-ja - ka kontribuar në mosbesimin e informacionit zyrtar, përfshirë lajmet rreth origjinës së koronavirusit dhe vaksinave.

Një studim i organizatës Ballkani në Grupin Këshillimor të Politikave të Evropës, nga fundi i vitit të kaluar, ka gjetur se më shumë se gjysma e të anketuarve në Ballkanin Perëndimor nuk do të vaksinoheshin.

“Njerëzit u besojnë grupeve të errëta në Facebook më shumë se Organizatës Botërore të Shëndetësisë - gjë që është një problem më i gjerë se vetë Serbia”, thotë Hajriq.

Ivana Prokiq, epidemiologe dhe koordinatore e nismës lokale “Të bashkuar kundër COVID-it” (UPK), thotë se promovimi i vaksinimit duhet të jetë një punë e kujdesshme në një shoqëri me aq shumë kundërshtarë të vaksinave dhe me një problem të gjerë të keqinformimit.

Grupi i saj, i cili mbledh mijëra mjekë dhe profesionistë të tjerë shëndetësorë, ka bërë tashmë një ankesë kundër Nestoroviqit.

UPK pretendon se Nestoroviq, në mënyrë të përsëritur, ka përhapur informacione të paprovuara shkencore, së bashku me pretendime të tjera spekuluese.

Në mungesë të një entuziazmi të madh publik për t'u vaksinuar, Prokiq sugjeron se opsioni i vetëm i Serbisë mund të jetë vaksinimi i detyrueshëm.

“Së paku për grupet më të rrezikshme, ose në rast udhëtimesh, të cilat nuk janë aspak koncepte të huaja, sepse kjo ka ndodhur me vaksina të tjera”, thotë Prokiq.

Në Nish, Mirosllavi, 65 vjeç, thotë se djali i tij është vaksinuar, ndërsa ai është në pritje.

“Vetëm në dhjetë ditët e fundit, numri i njerëzve që vuajnë nga koronavirusi është rritur”, thotë Mirosllavi. “Për arsye parandaluese, kam vendosur të vaksinohem. Nëse është mirë për ju, është mirë për njerëzit afër jush”./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat