Belgjika vendos pro kthimit të fëmijëve nga Siria, zyrtarët: Ndryshe bëhen terroristë

Evropë

Belgjika vendos pro kthimit të fëmijëve nga Siria, zyrtarët: Ndryshe bëhen terroristë

Më: 5 mars 2021 Në ora: 17:19
Siri

Belgjika ka vendosur të riatdhesojë fëmijët e xhihadistëve që ndodhen ende në kampet në veri-lindje të Sirisë, nën kontrollin kurd. Masa përfshin fëmijët belgë nën moshën 12 vjeç dhe kjo do të thotë se 30 deri në 50 të mitur mund të kthehen.

Masa është njoftuar nga kryeministri belg Alexander De Croo, i cili tha se, nëse fëmijët qëndrojnë në kampe ekziston rreziku që të bëhen terroristët e së nesërmes. Euro-deputetja Saskia Bricmon kishte kërkuar kthimin e tyre prej vitesh.

“Vendimi për të riatdhesuar fëmijët është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe urgjent për arsye humanitare, sepse ata po rriten pa ujë, pa ushqim dhe me pasoja psikologjike dhe fizike që janë tepër të rënda për fëmijët, të cilët janë pre e rrezikut të sëmundjeve kronike. Së dyti, kjo ka të bëjë me arsye sigurie. Ka qenë gjithmonë kështu, por tani situata në kampe po degradon. Kurdët kanë humbur kontrollin e kampit Al Hol dhe shumë gra po radikalizohen sërish, duke u rikthyer në radhët e ISIS. Ndaj është e padiskutueshme që edhe fëmijët evropianë do të aderojnë tek Shteti Islamik”, tha Saskia Bricmont, eurodeputete belge.

Belgjika ka hapur dyert edhe për riatdhesimin e nënave. Rastet e tyre do të analizohen një për një nga autoritetet, pasi deri tani disa prej tyre janë dënuar nga gjykatat belge dhe të tjera janë objekt i urdhër-arresteve ndërkombëtare.

Belgjika është një nga vendet evropiane që ka përjetuar nisjen më të madhe të luftëtarëve të huaj. Mbi 400 prej tyre kanë mbetur për të luftuar në radhët e xhihadit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat