COVID-19 në Evropë, Belgjika lehtëson masat, Italia kufizon edhe tre rajone të tjera

Evropë

COVID-19 në Evropë, Belgjika lehtëson masat, Italia kufizon edhe tre rajone të tjera

Më: 6 mars 2021 Në ora: 14:17
Foto ilustrim

Belgjika bëri me dije se do të nisin lehtësimet e masave kufizuese, por kufizimet kryesore të tilla si udhëtimi jashtë vendit apo hapja e bareve dhe restoranteve do të mbeten në fuqi.

Pas një faze të gjatë stabilizimi, nivelet e të infektuarve në Belgjikë vijojnë të rriten duke bërë që autoritetet belge të bëjnë thirrje për kujdes. Disa kufizime do të lehtësohen gradualisht, si për shembull aktivitetet në natyrë, të tilla si kampe ose sporte në natyrë, por ë baret dhe restorantet do të qëndrojnë të mbyllura deri të paktën 1 maj, ndërsa udhëtimi jashtë vendit për arsye jo thelbësore mbetet i ndaluar deri pas periudhës së Pashkëve.

Në një dalje për mediat, kryeministri belg prezantoi planin strategjik për lehtësimin gradual të masave të marra për të parandaluar virusin.

"Ne jemi të vetëdijshëm se të gjithë kemi nevojë për shpresë. Periudha 5 muaj nën masa kufizuese dhe përpjekjesh ka një ndikim në shëndetin psikologjik dhe është një sprovë e vështirë të cilën duhet ta kalojmë”, tha kryeministri belg Alexander de Croo.

Situata në spitalet në Çeki po rëndohet dita-ditës. Pothuajse 8300 persona po kurohen në spitalet e Çekisë, një numër rekord që nga nisja e pandemisë COVID-19.

Spitalet rajonale po tejmbushen gjithnjë e më shumë me pacientë të prekur nga COVID, teksa qeveria çeke ka vendosur masa të reja kufizuese për të kontrolluar përhapjen e virusit.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Mass shprehu mbështetjen e Gjermanisë për të ndihmuar Çekinë, e cila po përballet me një situatë të vështirë. Ai tha se disa pacientë çekë të infektuar mund të transportohen në spitalet gjermane.

“Unë jam në kontakt jo vetëm me personat përgjegjës në Pragë, por edhe me shtetet federale të cilat ndoshta kanë kapacitete dhe gjithashtu mund t'i bëjnë ato të disponueshme. Ne do ta mirëpresim çdo ndihmë nëse mund të lehtësojmë situatën e vështirë që ekziston në Republikën Çeke. Mund të ndihmojmë  që  personat e sëmurë që nuk mund të trajtohen më në Çeki, mund të hospitalizohen në spitalet gjermane", tha ministri i Jashtëm gjerman.

Edhe autoritetet italiane vendosën të forcojnë kufizimet në tre rajone të tjera. Veneto dhe Friuli Venezia Giulia do të kalojnë nga zona me ngjyrë të  verdhë në portokalli, ndërsa Campania (rajoni i Napolit), nga e hënë kalon në zonë të kuqe.

Ditën e premte Italia tejkaloi 3 milionë raste të konfirmuara të coronavirusit, ditën e tretë radhazi në këtë javë që rastet e reja ditore tejkaluan shifrën 20.000.

Punonjës të kulturës dhe turizmit në France, të mbetur pa punë kanë pushtuar një teatër të Left-Bank të Parisit. Ata po kërkojnë më shumë mbështetje të qeverisë pas një viti pandemie që ka shkatërruar të ardhurat e tyre duke u gjendur përballë një të ardhmeje të pasigurt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat