Në Kroaci krijohen 100 gropa pas tërmeteve të dhjetorit

Evropë

Në Kroaci krijohen 100 gropa pas tërmeteve të dhjetorit

Më: 8 mars 2021 Në ora: 07:28
Kroaci

Një fenomen i çuditshëm dhe i rrezikshëm ka ndodhur në Kroacinë qendrore.

Janë hapur gropa të mëdha, që i kanë mbushur fushat me vrima e nganjëherë kanë përpirë edhe shtëpi të tëra.

Kjo dukuri gjeologjike është shkaktuar pas dy tërmeteve, me 5.2 dhe 6.3 shkallë të Rihterit, që e kanë shokuar vendin, në fund të dhjetorit.

Tërmetet i kanë vrarë shtatë njerëz në një zonë rurale të madhe afër qytetit të Petrinjës.

Por gropat e thella vazhdojnë të jenë të rrezikshme. Përderisa kanë vazhduar edhe disa lëkundje të vogla, fshatarët kanë raportuar se këto humnera janë hapur edhe më shumë dhe janë mbushur me ujë.

Një nga banoret ka rrëfyer për përkeqësimin e gjendjes nga gropat.

“Kjo ka ndodhur pas tërmetit. Pas lëkundjeve ka rënë shumë shi, që veçse e ka përkeqësuar gjendjen. Vetëm ujë, ujë, ujë, kudo”, ka thënë ajo.

Në më pak se dy muaj pas tërmeteve, rreth 100 gropa të reja janë formuar në zonë. Ndonëse gropat e mëdha janë dukuri e zakonshme në vendet që janë të pasura me gurë gëlqerorë, shpejtësia me anë të së cilës janë duke u shfaqur i ka zënë shkencëtarët në befasi për shkak se ky proces zakonisht merr dekada, madje edhe shekuj.

Disa gropa janë krijuar nën shtëpitë e banorëve, gjë që i ka obliguar banorët që të evakuohen, përderisa gropat e tjera në kopshte e fusha i kanë penguar fermerët që të punojnë në tokë nga frika se do të gllabërohen prej tyre.

Josip Terzic, hidrogjeolog nga Inspektorati Gjeologjik Kroat, është pjesë e ekipit që po i studion ato.

“I kemi planifikuar disa metoda kërkimi. Tashmë i kemi kryer disa metoda gjeofizike, sizmike dhe elektrike. Tashmë po planifikojmë të bëjmë ndoshta edhe metoda elektromagnetike. Gjithashtu brenda një jave do të bëjmë një skanim të gropës më të madhe e më të gjerë, për ta kuptuar morfologjinë nënujore të saj. Për aq sa di ku, është përafërsisht 12 metra e thellë nën ujë këtu me rreth 15 metra thellësi”, ka thënë Terziq.

Shkencëtarët kanë thënë se kjo është dukuri e papritur, që është mundësi për ta studiuar mënyrën se si ngjarjet shkatërruese si tërmetet mund të ndikojnë shpejt në sedimente dhe rrjedhat e ujërave nëntokësore.

Por për banorët, që varen nga kultivimi i misrit dhe patateve, ky fenomen është një tjetër sfidë që duhet ta tejkalojnë, kur po përballen edhe me pandeminë e koronavirusit që në muaj e fundit është shoqëruar me dridhje të njëpasnjëshme.

Këto gropa të mëdha, që janë shfaqur në fusha dhe kanë tërhequr ndërtesa, rikujtojnë edhe një herë se si natyra mund t’i ndryshojë shpejt planet e njerëzve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat