BE kritikon kufizimin e lirisë së mediave në disa vende anëtare

Evropë

BE kritikon kufizimin e lirisë së mediave në disa vende anëtare

Më: 10 mars 2021 Në ora: 19:25
Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Vera Jourova.

Bashkimi Evropian paralajmëroi të mërkurën për “zhvillime shqetësuese” sa i përket lirisë së mediave në vendet anëtare lindore: Hungari, Poloni dhe Slloveni.

“Udhëheqës të fuqishëm janë ata që fitojnë respekt përmes veprimeve të tyre, që pranojnë shumëllojshmërinë e mendimeve dhe që i lejojnë qytetarët të informohen siç duhet, e jo ata që përpiqen t’i heshtin zërat kritikë”, tha para Parlamentit Evropian zëvendëspresidentja e Komisionit, Vera Jourova.

“Për fat të keq, në muajt e fundit kanë ndodhur zhvillime shtesë shqetësuese”, tha ajo.

Jourova kujtoi se autoritetet në Hungari ia kanë ndërprerë valët radiostacionit kryesor të pavarur, Klubradio, i cili ka qenë kritik ndaj Qeverisë populiste të kryeministrit Viktor Orban.

Ajo foli edhe për protestat e transmetuesve në Poloni kundër një takse të reklamave për mediat joshtetërore, që, sipas tyre, e kufizon pluralizmin.

Në Slloveni, Jourova kritikoi “përpjekjet e Qeverisë për të minuar financimin e qëndrueshëm dhe pavarësinë e agjencisë kombëtare të shtypit”, si dhe “sulmet e shpeshta verbale kundër gazetarëve”.

“Për të gjitha këto raste, Komisioni ka qenë në kontakt me autoritetet kombëtare dhe vazhdon ta monitorojë situatën”, tha Jourova.

“Më lejoni t'ju siguroj se Komisioni do të veprojë kur ka raste që lidhen me pajtueshmërinë e ligjeve ose vendimeve kombëtare me rregullat e BE-së”, theksoi ajo.

Komisioni ka lëshuar disa “vërejtje për shkelje” në Hungari dhe Poloni dhe Gjykata Evropiane e Drejtësisë i ka mbështetur disa ankesa.

Por, ato kanë bërë pak për të ndryshuar drejtimin politik të qeverive në fjalë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat