Tregtia Britani-BE, rënie rekord në muajin e parë pas Brexit

Evropë

Tregtia Britani-BE, rënie rekord në muajin e parë pas Brexit

Më: 12 mars 2021 Në ora: 22:37
Zyra e Statistikave vuri në dukje edhe një rënie prej 64% të ushqimeve dhe gjësë së gjallë drejt BE-së

Tregtia mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian u dëmtua në muajin e parë post-Brexit, me një rënie rekord në eksportet britanike dhe në importin e mallrave, të ndikuara edhe nga kufizimet anti-COVID-19.

Eksporti i mallrave britanike drejt BE-së, me përjashtim të arit dhe metaleve të tjera të çmuara, ranë me 40.7% në janar krahasuar me dhjetorin, bëri të ditur të premten Zyra Kombëtare e Statistikave. Ndërsa importet ranë me 28.8%, duke shënuar një rekord tjetër.

Zyra e Statistikave deklaroi se pandemia e COVID-19, që e la Britaninë në izolim në janar, vështirësoi përcaktimin e sasisë së ndikimit të Brexit nga marrëveshjet e reja doganore dhe shkaktoi ndryshime në mbledhjen e të dhënave.

Sidoqoftë, shenja e Brexit është e padiskutueshme. Tregtia e artikujve kimikë ishte veçanërisht e dobët, duke reflektuar rënien e nxitimit për të eksportuar produkte farmaceutike përpara përfundimit të periudhës së tranzicionit të Brexit.

Zyra e Statistikave vuri në dukje edhe një rënie prej 64% të ushqimeve dhe gjësë së gjallë drejt BE-së, përfshirë peshkun.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat