Liderët botërorë bëjnë thirrje për traktat ndërkombëtar të pandemisë

Evropë

Liderët botërorë bëjnë thirrje për traktat ndërkombëtar të pandemisë

Më: 30 mars 2021 Në ora: 08:48
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson

Më shumë se 20 liderë botërorë kanë bërë thirrje për një zgjidhje të re për të ndihmuar botën që të përgatitet për pandemitë e ardhshme.

Në një shkrim për gazetat në të gjithë botën, udhëheqësit përfshirë presidentin e Francës, Emmanuel Macron të Francës dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel thanë se COVID-19 ka paraqitur sfidën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore.

Nuk është çështje nëse do të ndodhë një krizë tjetër pandemike, por kur, kanë shkruar ata.

Liderët në këtë artikull të përbashkët kanë thënë se pandemia e COVID-19, ka treguar se "askush nuk është i sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurt".

Udhëheqësit thonë se për të ndërtuar bashkëpunimin ndërkombëtar duhet një traktat i ngjashëm me atë të arritur pas Luftës së Dytë Botërore.

Nënshkruesit, ndër të cilët është edhe kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, thonë se "në atë kohë, pas shkatërrimit të dy luftërave botërore, udhëheqësit politikë u bashkuan për të fuqizuar sistemin shumëpalësh”.

"Qëllimet ishin të qarta: të bashkohen vendet, të largohen prirjet drejt izolimit dhe nacionalizmit si dhe të adresohen sfidat që mund të arriheshin së bashku në frymën e solidaritetit dhe bashkëpunimit për paqen, prosperitetin, shëndetin dhe sigurinë", ka thënë liderët botëror.

Ata theksojnë se në të njëjtën frymë, vendet duhet tani "të jenë më të përgatitura për të parashikuar, parandaluar, zbuluar dhe reaguar në mënyrë efektive ndaj pandemive në një mënyrë shumë të koordinuar".

Një traktat i ri do të ndihmonte në krijimin e sistemeve më të mira për njoftimin e njerëzve për pandemitë e mundshme, thonë ata, duke shtuar se pakti gjithashtu do të përmirësonte ndarjen e të dhënave dhe shpërndarjen e vaksinave dhe pajisjeve mbrojtëse personale.

"Do të ketë pandemi të tjera dhe emergjenca të tjera të mëdha shëndetësore. Asnjë qeveri e vetme ose agjenci shumëpalëshe nuk mund ta trajtojë këtë kërcënim vetëm”, kanë thënë ata.

Koronavirusi i ri që e shkakton sëmundjen COVID-19 u paraqit për herë të parë në Kinë në fund të vitit 2019. Që nga ajo kohë vendet në botë kanë marrë masa të ashpra izolimi për të parandaluar përhapjen e tij. Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins me seli në SHBA, në të gjithë botën janë infektuar 127.643.380 njerëz, prej të cilëve 2.792.005 kanë vdekur.

Shifrat besohet të jenë më të larta./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat