Erdogani nuk është i vetëm në politikën kundër grave

Evropë

Erdogani nuk është i vetëm në politikën kundër grave

Më: 2 prill 2021 Në ora: 09:52
Ilustrim

Me tërheqjen e Turqisë nga "Konventa për Mbrojtjen e të Drejtave të Grave", presidenti Recep Tayyip Erdogan ka bërë një grusht shteti të turpshëm, mendon Alexander Görlach.

Kur bëhet fjalë për armiqësinë ndaj grave, Erdogani është përpara sundimtarëve katolikë në Hungari dhe Poloni, të cilët nuk kanë kursyer sulmet ndaj grave në të kaluarën e afërt. Në janar, partia polake nacionaliste e djathtë anti-evropiane në pushtet "Ligji dhe Drejtësia", ndaloi abortin edhe në rastet kur dihet se fetusi do të kishte lindur me sëmundje të rënda. Ndërsa Hungaria ka nënshkruar vitin e kaluar një deklaratë kundër abortit.

Armiqësia ndaj grave erdhi në një paketë: nga mbrojtja përjashtohen edhe homoseksualët, biseksualët dhe transseksualët. Në Poloni ka një numër qarqesh dhe qytetesh që e kanë deklaruar veten "zona pa LGBT". Njerëzit me një orientim tjetër përveç heteroseksualëve, nuk janë të mirëpritur në këto vende. Është një kthim i trishtueshëm në historisë e Polonisë, e cila dikur u sulmua nga Gjermania naziste "pa hebre", e tani atje njerëzit po stigmatizohen dhe deklarohen të jashtëligjshëm. E tani as Erdogani nuk dëshiron të mbetet mbrapa - ai përsëriti fjalët e zyrtarit më të lartë fetar në vendin e tij, i cili tha në një predikim në fund të prillit të vitit të kaluar, se pandemia Corona ka shpërthyer për shkak të homoseksualitetit.

Agjenda populiste

Gjërat duhet të quhen ashtu siç e kanë emrin: budallallëqe të tmerrshme. Por gjërat nuk përfundojnë me kaq. Autokratët në Ankara, Budapest dhe Poloni - Turqia, Hungaria dhe Polonia janë zyrtarisht demokraci, e dy të fundit janë edhe anëtare të Bashkimit Evropian - po e ndjekin një agjendë të përbashkët që bota e lirë nuk mund ta injorojë. Gjërat mund të shpjegohen me pak fjalë, biografia politike e Erdoganit e ilustron atë shumë mirë: Ai fitoi zgjedhjet lokale në vitin 2004 edhe duke e stilizuar veten si "turk me ngjyrë". Ai në këtë mënyrë donte të ndërpriste dominimin e "turqve të bardhë", që do të thotë elitën Kemaliste, laike në ushtri dhe në politikë. Një njeri i fortë, me një politikë populiste: ai i vetëm kundër të gjithë establishmentit kundër elitës brenda dhe jashtë vendit. E këtë politikë populiste e ka vazhduar edhe më pas.

Image
Alexander Görlach

Njerëzit si Erdogani ose Viktor Orbani i refuzojnë vetëm "elitat" brenda dhe jashtë vendit, të cilat i zbulojnë dhe ndëshkojnë keqbërjet e tyre. Gjyqësorët në Turqi, Poloni dhe Hungari drejtohen nga njerëz të dobët, shtypi dhe universitetet heshtin. Të drejtat për të gjithë, çfarë do të thotë kjo? Turqia, Polonia dhe Hungaria janë shumë të ngjashme edhe në këtë plan.

Perëndimi shihet si armik

Në vend të proceseve të hapura dhe transparente, në këto vende mbizotërojnë nepotizmi dhe kleptomania. Atje me siguri që nuk duan që të ketë mundësi detyrimi për një veprim ndryshe. Kjo është arsyeja pse Polonia dhe Hungaria i kundërshtojnë mekanizmat e sundimit të ligjeve që vlejnë në BE.

Një Turqi e këtillë nuk do të futet kurrë në Bashkimit Evropian, as Erdogani nuk e dëshiron këtë prej kohësh. Por jo vetëm BE-ja është një bashkësi vlerash. Edhe NATO është një bashkësi e këtillë, e Turqia është anëtare e saj. Fakti që Shtëpia e Bardhë kritikoi ashpër tërheqjen e Turqisë nga Konventa e Stambollit tregon se e gjithë bota e lirë është tronditur me sjelljet e këtilla të Erdoganit.

Populistët si Erdogani mund të ekzistojnë politikisht vetëm nëse u prezantojnë votuesve të tyre armiq të tjerë, të cilët i shpallin fajtorë për të gjitha. Kjo është metoda e veprimit të tyre, në vend se të bëjnë politikë të vërtetë. Polonia tani ka njoftuar se do të miratojë një "Konventë të Varshavës", me të cilën do të ndalojë abortin dhe martesën e personave të një gjinie. Nuk do të vonojë shumë dhe lajme të tilla të tmerrshme mund të vijnë edhe nga Hungaria dhe Turqia: Rrota e inatit dhe denigrimit do të vazhdojë të rrotullohet.

Alexander Görlach është anëtar i lartë i Këshillit Carnegie për Etikën në Çështjet Ndërkombëtare dhe bashkëpunëtor i lartë i studimeve në Universitetin e Kembrixhit, në Institutin për Fenë dhe Studimet Ndërkombëtare. Gjuhëtari dhe teologu ka qenë edhe anëtar dhe studiues në Universitetin e Harvardit nga 2014-2017, në Universitetin Kombëtar të Tajvanit, si dhe në Universitetin e Qytetit të Hong Kongut nga 2017-2018./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat