2020-ta vit i keq për vjedhësit

Evropë

2020-ta vit i keq për vjedhësit

Më: 5 prill 2021 Në ora: 09:48
Foto ilustrim

Pandemia Covid-19 ka goditur në Gjermani shumë vetë, e ndër ta edhe vjedhësit. Për shkak se tani shumë vetë punojnë nga shtëpia, rastet e vjedhjeve të shtëpive kanë rënë në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave.    

Shoqata Gjermane e Shoqërive të Sigurimeve GDV njoftoi në raportin e saj vjetor, se në Gjermani ka rënë numri i vjedhjeve të banesave dhe se në vitin 2020 ka regjistruar numrin më të ulët të kërkesave për kompensim në rast vjedhjeje, që nga viti 1998 kur ka nisur mbajtja e statistikave të kësaj shoqate.

"Rënia e numrit të vjedhjeve dhe grabitjeve në banesa lidhet kryesisht me faktin se njerëzit kalojnë tani shumë kohë në shtëpi për shkak të pandemisë së virusit korona," tha presidenti i GDV Jërg Asmussen. "Vjedhësit shpesh nuk kanë asnjë mundësi për të kryer krimin."

Image

Rënie e numrit të vjedhjeve në vitin 2020 në krahasim me 2019 është shënuar në të 16 landet e Gjermanisë.

Gjithësesi edhe para pandemisë së virusit korona, numri i vjedhjeve të banesave dhe të shtëpive në Gjermani ka shënuar që nga viti 2015 rënie çdo vit.

Shumë pronarë shtëpish dhe apartamentesh investojnë në teknologji më të mira sigurie, prandaj thuajse gjysma e të gjitha tentativave për vjedhje dështojnë, sepse autorët e krimit nuk mund të hyjnë shpejt në shtëpi, thuhet në raport./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat