Turqia arreston 10 admiralë në pension, nën dyshimet për komplot për puç

Evropë

Turqia arreston 10 admiralë në pension, nën dyshimet për komplot për puç

Më: 5 prill 2021 Në ora: 09:55
Pjesëtar i policisë turke - fotografi arkivi

Turqia tha se ka arrestuar dhjetë admiralë të pensionuar, të cilët kanë nënshkruar një letër të hapur, duke pohuar rëndësinë e Konventës Montre për sigurinë turke.

Kjo konventë është krijuar për të parandaluar militarizimin e Detit të Zi.

Letra e hapur, e nënshkruar nga 104 ish-pjesëtarë të rangut të lartë të marinës, është dënuar nga zyrtarët turq, të cilët e shohin si sfidim të drejtpërdrejtë të Qeverisë nga ana e ushtrisë.

Zëdhënësi presidencial, Ibrahim Kalin, tha se letra përmban shenjat dalluese të një komploti ushtarak për të përmbysur Qeverinë.

“Disa ushtarë në pension po e vendosin veten në një pozitë qesharake dhe të mjerueshme me deklaratën e tyre, e cila i bën jehonë kohës së puçit ushtarak”, tha Kalin.

Mediat lokale turke thonë se prokurorët kanë nisur hetimin e admiralëve të pensionuar nën dyshimin se kanë bërë “marrëveshje për të kryer krim kundër sigurisë së shtetit dhe rendit kushtetues”.

Muajin e kaluar, Turqia ka miratuar një plan për të ndërtuar një kanal të madh që lidh Detin e Zi në veri të Stambollit me Detin Marmara në jug.

Një zyrtar turk ka thënë se ai nuk do të mbulohet nga Konventa Montre.

Konventa e vitit 1936 e rregullon përdorimin e ngushticave të Bosforit dhe Dardaneleve nga anijet e mallrave të vendeve të tjera.

Konventa i jep Turqisë kontrollin mbi ngushticat brenda kufijve të saj dhe gjatë kohës së paqes garanton hyrjen për anijet civile.

Ajo gjithashtu kufizon qasjen e anijeve luftarake detare.

Letra e admiralëve në pension tha se Turqia duhet të shmangë “çdo deklaratë dhe veprim që mund të bëjë që Konventa Montre të nxirret për diskutim”.

Ata e cilësuan atë si “një traktat të rëndësishëm sa i përket mbijetesës së Turqisë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat