Shumica e gjermanëve dyshojnë se vendi do të përmbushë “afatet e vaksinimit kundër COVID-19, në kohë”

Evropë

Shumica e gjermanëve dyshojnë se vendi do të përmbushë “afatet e vaksinimit kundër COVID-19, në kohë”

Më: 5 prill 2021 Në ora: 10:34
Foto Ilustrim

Gati dy të tretat e gjermanëve dyshojnë në premtimin e kancelares Angela Merkel se qeveria do të jetë në gjendje t’u ofrojë të gjithë qytetarëve të gatshëm të vaksinohen një dozë të vaksinës deri më 21 shtator, sipas një sondazhi të porositur nga dpa.

Siç shkruan ky medium, vetëm 23 për qind e gjermanëve besojnë se qeveria do të përmbushë këtë qëllim, gjeti sondazhi nga YouGov, ndërsa 62 për qind janë skeptikë.

Ndërkohë 15 për qind ishin të pavendosur.

Ndryshe, kancelarja Merkel ka nënvizuar vazhdimisht qëllimin e saj për t’u ofruar të gjithë të rriturve një dozë të vaksinës kundër Covid-19 deri më 21 shtator, megjithëse besimi në këtë premtim është dobësuar mes përhapjes së ngadaltë të vaksinave në Gjermani.

Një sondazh i ngjashëm i kryer në fillim të shkurtit zbuloi se 26 për qind ende besonin se objektivi do të përmbushej, ndërsa 57 për qind nuk besonin se kjo ishte e mundshme.

Madje, edhe midis votuesve për partinë Demokristiane (CDU) të Merkelit, shumë veta kanë dyshime nëse qëllimi mund të përmbushet, me 53 për qind të votuesve për CDU dhe partinë e saj motër, CSU, të dyshimtë.

Siç edhe pritet, nivelet e dyshimit janë edhe më të larta në mesin e mbështetësve të partive të tjera.

Fushata e inokulimit në Gjermani ka qenë shumë më e ngadaltë se shumë vende të tjera, por këtë muaj rreth 35,000 mjekë të familjes do të fillojnë të japin vaksinat, duke përshpejtuar procesin.

Më vonë, specialistë mjekësorë, mjekë privatë dhe mjekë të ndërmarrjeve do të ndihmojnë gjithashtu për të shpejtuar përpjekjet.

Ndërkohë, gatishmëria e njerëzve për të marrë një vaksinë ka rënë që nga një sondazh i ngjashëm në janar, kur 67 për qind e të anketuarve thanë se dëshironin një vaksinë.

Kjo përqindje ka rënë pak, në 57 për qind plus 8 për qind që kanë marrë tashmë vaksinën, duke shkuar deri në 65 për qind.

Sondazhi u krye midis 3 dhe 5 shkurtit dhe u anketuan 2,077 njerëz.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat