Spiuni i dyshuar italian "nuk kishte shumë qasje në sekrete"

Evropë

Spiuni i dyshuar italian "nuk kishte shumë qasje në sekrete"

Më: 8 prill 2021 Në ora: 16:44
Pjesëtarë të policisë italiane. Foto nga arkivi.

Kapiteni i marinës italiane që u arrestua javën e kaluar nën akuzat e spiunimit për Rusinë, nuk ka pasur qasje të plotë në sekretet ushtarake kombëtare ose në ato të NATO-s, tha të enjten ministri Mbrojtjes i Italisë, Lorenzo Guerini.

Kapiteni, Walter Biot, që punonte në zyrën e Shefit të Shtabit të Mbrojtjes, po mbahet në paraburgim. Policia italiane pati thënë se e kishte arrestuar atë duke i dorëzuar dokumente të fshehta një oficeri ushtarak rus, në këmbim të 5 mijë eurove.

Sipas ministrit Guerini, kapiteni kishte qasje në "dokumente të klasifikuara" por nuk ushtronte pozitë aq të lartë sa të kishte informacion të detajuar mbi operacionet ushtarake.

Ai mund të shihte dokumente dhe vlerësime mbi politikën ushtarake, por jo materiale në lidhje me "menaxhimin e operacioneve, ose detaje mbi aftësitë kombëtare dhe të NATO-s", tha ministri gjatë një seance të parlamentit italian.

Pas arrestimit të tij, Italia thirri ambasadorin rus dhe dëboi dy zyrtarë të ambasadës ruse.

Gruaja e kapitenit italian, Claudia Carbonara, i tha gazetës ”Corriere della Sera” se burri i saj ishte "i dëshpëruar", pasi paga e tij mujore prej 3,000 euro, nuk ishte e mjaftueshme për të mbajtur familjen e tij me katër fëmijë./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat