Agjencia Evropiane e Hapësirës kërkon diversitet tek rekrutët e rinj

Evropë

Agjencia Evropiane e Hapësirës kërkon diversitet tek rekrutët e rinj

Më: 12 prill 2021 Në ora: 06:28
Ilustrim

Agjencia Evropiane e Hapësirës po zhvillon për herë të parë në 11 vjet një fushatë rekrutimesh. Ky institucion thotë se këtë radhë synimi është të shtohet diversiteti i agjencisë duke shtuar numrin e astronauteve femra si dhe individëve me aftësi të kufizuara fizike që kanë shprehur dëshirën për udhëtime në hapësirë.

Për herë të katërt që nga viti 1978, Agjencia Evropiane e Hapësirës ka njoftuar se kërkon aplikantë të rinj. Për herë të fundit, agjencia mori katër rekrutë të rinj në vitin 2008.

"Shumë njerëz mund të mos aplikojnë në një program për përzgjedhjen e astranutëve sepse mund të mendojnë se është shumë i vështirë dhe i krijuar për një tjetër kategori njerëzish. Por nuk është ashtu. Unë e dëshmoj këtë. Ne të gjithë jemi njerëz normalë, ndoshta pak me fat, sepse duhet të përmbushësh shumë faktorë për t’u përfshirë në këtë program, por hapi i parë dhe më i rëndësishëm është që njerëzit duhet të aplikojnë,” thotë astronauti francez Thomas Pesquet.

Vetëm 65 nga më shumë se 560 individë që kanë shkuar në hapësirë kanë qenë gra. Nga këto astronaute, 51 kanë qenë me shtetësi amerikane.

Agjencia Evropiane e Hapësirës ka dërguar vetëm dy gra në hapësirë. Tani po përpiqet të ndreqë këtë disbalancë gjinore, por është e hapur edhe për të rekrutuar persona me aftësi të kufizuara fizike.

"Diversiteti dhe gjithë-përfshirja janë vlera kyçe për Agjencinë Evropiane të Hapësirës. Për herë të parë në histori, Agjencia Evropiane e Hapësirës do të zgjedhë një apo më shumë persona me aftësi të kufizuara fizike në kuadër të Projektit të Fizibilitetit për Para-Astronautët,” thotë Antonella Costa e Agjencisë Evropiane të Hapësirës.

Zyrtarët thonë se agjencia po përpiqet të luftojë perceptimin se kandidatët për rekrutim duhet të kenë aftësi apo përgatitje speciale, gjë që i dekurajon shumë individë të përgatitur dhe të aftë për misionet hapsinore:

"Tradicionalisht, në të kaluarën astronautët kanë qenë pilotë provash. Në fakt pilotët e provave përsëri munt të aplikojnë, por faktikisht po kërkojmë njerëz me aftësi shumë më të gjera në shkencë, teknologji apo mjekësi. Ata që do të kryejnë eksperimentet shkencore në anijen Columbus duhet të jenë në gjendje të përshtaten për misione në hapësirë, ndoshta misione në Hënë, por edhe për t’u bërë vetë objekt eksperimentesh mjekësore,” thotë David Parker i Agjencisë Evropiane të Hapësirës.

Astronauti italian Luca Parmitano ofron këshilla të thjeshta për ata që ushqejnë ëndrra për t’u bërë astronautë:

"Po të kisha mundësi të kthehesha pas dhjetë vjet më parë, do t’i thoja vetes që gjatë intervistës së rekrutimit të tregohesha më i qetë, i relaksuar. Por nuk do të bëja asgjë ndryshe. Mjafton të jeni vetvetja. Do të kisha dashur të isha shumë më i qetë që të kisha mundësi të dëshmoja kush isha në realitet, çfarë isha në gjendje të bëja, çfarë aftësish kisha. U rekomandoj kandidatëve të jenë vetvetja. Nëse vërtetë keni ambicje të bëheni astronaut, ju mishëroni cilësitë e nevojshme për këtë detyrë,” thotë astronauti.

Një tjetër cilësi e nevojshme për këtë punë është durimi. Zyrtarët e agjencisë thonë se, që nga aplikimi e deri në rekrutim, procesi zgjat afro 18 muaj. Agjencia Evropiane e Hapësirës thotë se kandidatët e zgjedhur për rekrutim do të njoftohen në tetor të vitit 2022.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat