Michel i BE-së thotë se ‘nuk ka fjetur mirë, që prej gafës rreth ulëses në Turqi’

Evropë

Michel i BE-së thotë se ‘nuk ka fjetur mirë, që prej gafës rreth ulëses në Turqi’

Më: 13 prill 2021 Në ora: 14:53
Charles Michel dhe Ursula von der Leyen

Charles Michel i BE-së ka thënë se “nuk është duke fjetur mirë” për gafën nga e cila Ursula von der Leyen mbeti pa karrige gjatë një takimi të nivelit të lartë në Turqi.

Sipas mediave të huaja, bëhet fjalë për një ngjarje, pamjet e së cilës janë shpërndarë gjithandej, ku shihet momenti ku Michel dhe presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, u ulën në “dy vendet e para”, duke lënë von der Leyen të pyeste se ku duhet të ulej.

Dhe përfundimisht, ajo u tërhoq në një divan, pak larg nga të dy burrat.

“Nuk e fsheh faktin që nuk kam fjetur mirë natën që nga ajo kohë”, citohet të ketë thënë ai për gazetën gjermane të biznesit Handelsblatt, duke shtuar se “do të kthehej dhe do të ndreqte situatën nëse ishte e mundur”.

“Frika ime ishte se nëse do të kisha reaguar në ndonjë mënyrë, do të kisha shkaktuar një incident shumë më të rëndë”, ka thënë ai.

Por Michel, presidenti i Këshillit Evropian, nuk i ka shpëtuar kritikave.

Ai, siç thuhet më tej, nuk ia ofroi vendin e tij von der Leyen – presidentja e parë femër e Komisionit Evropian – pavarësisht se të dy ishin në rang të barabartë.

Ndryshe, në një reagim pas ngjarjes, ai kishte shkruar: “Imazhet e pakta që u shfaqën krijuan përshtypjen se do të kisha qenë i pandjeshëm ndaj kësaj situate. Asgjë nuk është as nga realiteti, as nga ndjenjat e mia të thella. As nga parimet e respektit që më duken thelbësore”.

Dhe duke përdorur vetën e parë shumës, Michel tha se ai dhe von der Leyen preferuan të përqendroheshin në thelbin e diskutimit me presidentin Erdogan, i cili përfshinte të drejtat e grave, në vend që të përkeqësonte incidentin. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat