Vala e tretë e COVID-19 dhe vaksinimet në Evropë

Evropë

Vala e tretë e COVID-19 dhe vaksinimet në Evropë

Më: 15 prill 2021 Në ora: 21:39
Evropë

Pjesa më e madhe e Evropës është detyruar të rikthejë masat kufizuese mes një vale të tretë vdekjeprurëse të koronavirusit. Megjithatë, në Britani, restorantet, dyqanet dhe shërbimet e tjera u rihapën të hënën ndërsa qeveria theksoi se programi i saj i vaksinimit ka ulur numrin e infeksioneve. Korrepondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell njofton nga Londra.

Rikthimi i masave kufizuese ka krijuar vështirësi të reja për bizneset. Pronarët e restoranteve në Romë të hënën protestuan kundër vendimit të qeverisë për t’i mbyllur ato.

"Ne jemi të lodhur nga kjo, duhet të kthehemi në punë, thjesht nuk mund ta bëjmë më", thotë ky pronar restoranti nga rajoni i Venetos.

Italia është një nga disa vendet evropiane që po ndeshen me një valë të tretë të virusit.

Franca, Gjermania dhe disa vende të tjera kanë forcuar masat kufizuese. Mjekët po paralajmërojnë për një rritje të shtrimit të të rinjve në spitale për shkak të Covid-19. Kancelarja e Gjermanisë bëri një paralajmërim më të fortë.

"Kjo valë e tretë mund të jetë më e rënda për ne", tha kancelarja Angela Merkel.

Vala e re po nxitet nga varianti B.1.1.7 i virusit, i identifikuar së pari në Britani, e cila u godit rëndë në janar.

Por tani Britania nuk po ndjek prirjen evropiane. Restorantet dhe dyqanet u rihapën të hënën, pasi shtrimet në spital kanë rënë në nivelin e verës së vitit të kaluar. Më shumë se 60 përqind e të rriturve britanikë kanë marrë dozën e parë të vaksinës.

Anthony Harnden, Komisioni i Përbashkët i Britanisë për Vaksinimet

“Një valë e madhe, vala e tretë e Covid-19 po godet Evropën për momentin, pjesërisht për shkak të faktit se një pjesë e vogël e popullatave të tyre janë vaksinuar. Programet e vaksinimit janë të ndërlikuara dhe ato mbështeten në besimin e publikut”, thotë Anthony Harnden nga Komisioni i Përbashkët i Britanisë për Vaksinimet.

Sondazhet tregojnë se besimi i publikut për vaksinën AstraZeneca në Britani është rreth 75 përqind.

Por shumica e njerëzve në Francë, Gjermani, Itali dhe Spanjë besojnë se vaksina AstraZeneca nuk është e sigurt. Konfuzioni mbi të dhënat e provave klinike bëri që vaksina fillimisht të kufizohej për ata nën 65 vjeç. Por, disa vende tani po kufizojnë vaksinën edhe për grupmoshat më të larta, pasi rastet e mpiksjeve të gjakut u shfaqën tek të rinjtë.

“Këto janë raste shumë të rralla. Ato ende ekzistojnë, por ne duhet t’i krahasojmë me rrezikun e infektimit me Covid-19, dhe madje me nivelin e vdekjeve nga Covid-19. Në shumicën e vendeve dhe për shumicën e njerëzve, rreziku nga infektimi me Covid-19 është shumë më i madh", thotë eksperti i shëndetit global, Dr. Peter Drobac.

Evropa po përpiqet të rrisë besimin e publikut. Kryeministri i Francës u vaksinua me AstraZeneca në një ngjarje të transmetuar drejtpërdrejt nga kanalet televizive.

Pas një fillimi të ngadaltë, programet e vaksinimit po marrin hov, me përdorimin e vaksinave Pfizer-BioNTech, Moderna, AstraZeneca dhe Janssen. Gjermania bëri 720,000 doza vaksinash në një ditë javën e kaluar, duke thyer rekordin në përpjekjet e deritanishme të imunizimit të popullatës së saj.

Por problemet e vaksinës AstraZeneca në Evropë kanë pasoja më të gjëra, pasi besimi global i publikut në të duket se po bie. AstraZeneca është më e lirë dhe më e lehtë për t’u prodhuar se sa vaksinat e tjera dhe mund të ruhet në temperatura normale frigoriferike.

“Për të gjitha këto arsye, unë mendoj se kjo vaksinë është shumë e rëndësishme. Ajo është shtylla kurrizore e fushatës globale të vaksinimit”, thotë Dr. Peter Drobac nga Universiteti i Oksfordit.

Bashkimi Afrikan javën e kaluar anuloi planet për të blerë vaksinën AstraZeneca, duke përmendur dëshirën për të diversifikuar opsionet e saj. Blloku tha se vendimi nuk kishte lidhje me shqetësimet nga mpiksjet e gjakut.

Por ekspertët e shëndetit thonë se kjo mund të ushqejë më tej hezitimin për të bërë vaksinën dhe ata po bëjnë thirrje për organizim të fushatave globale të ndërgjegjësimit për t’iu kundërvënë dezinformimit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat