Holanda i jep fund izolimit katërmujor

Evropë

Holanda i jep fund izolimit katërmujor

Më: 28 prill 2021 Në ora: 09:22
Amsterdami

Pas katër muajve të izolimit të ashpër, Holanda ka bërë një hap të madh drejt kthimit në normalitet, meqë shumica e kufizimeve për luftim të pandemisë, do të hiqen ditën e mërkurë.

Qytetarët do të mund të lëvizin natën nëpër rrugë, pasi ora policore e zbatuar nga muaji janar, do të hiqet plotësisht.

Dyqanet dhe restorantet do të rihapen sërish, me disa kushte të caktuara.

Njerëzit në Holandë tani do të mund të pranojnë dy vizitorë nëpër shtëpitë e tyre, për dallim nga një sa është lejuar deri më tani.

Qeveria holandeze, në drejtim të kryeministrit Mark Rutte ka vendosur që të lehtësojë kufizimet për koronavirus, pavarësisht numrit të madh të të infektuarve dhe paralajmërimeve nga këshilli shkencor që jep udhëzime për koronavirus.

Brenda një jave besohet se në Holandë infektohen 220 persona në 100,000 banorë.

Megjithatë, Qeveria holandeze pret që numri i të infektuarve të bie ndjeshëm për shkak të rritjes së shkallës së vaksinimit.

Deri më tani, rreth 5 milionë persona kanë pranuar të paktën një dozë të vaksinës për koronavirus, në shtetin me 17 milionë banorë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat