Dënimi i Derek Chauvin nuk i lehtësoi francezët

Evropë

Dënimi i Derek Chauvin nuk i lehtësoi francezët

Më: 30 prill 2021 Në ora: 16:59
Francë

Ngjarjet me dhunë policore dhe padrejtësi racore tingëllojnë të ngjashme kryesisht në Francë, një vend që ka një numër të madh banorësh me origjinë nga Afrika dhe Arabia. Megjithatë në Francë, nuk ndahet i njëjti optimizëm i kujdesshëm sikurse i disave në Shtetet e Bashkuara e gjetkë, se shpallja fajtor për vrasje e ish-oficerit të policisë Derek Chauvin, mund të nxisë ndryshime sociale. Korrespondetja e Zërin e Amerikës Lisa Bryant njofton.

Gjyqi i Derek Chauvin për vrasjen e afrikano-amerikanit George Floyd mbushi faqet e para të shtypit francez. Por shumica e raportimeve në lidhje me procedurat dhe temën bazë të ngjarjes atë të dhunës policore e racizmit, u përqendruan kryesisht në Shtetet e Bashkuara.

"Mendoj se është parë si një problem amerikan që reflekton disi me Francën. Ajo gjithashtu ushqen një linjë anti-amerikanizmi francez, në të majtë e të djathtë. Në këtë mënyrë francezët mund të bëjnë moral për Shtetet e Bashkuara, vështirësitë dhe të metat e tyre", thotë Steven Ekovich, Profesor i Politikës, në Universitetin Amerikan të Parisit.

Vdekja e George Floyd-it në duart e policisë bëri që shumë francezë të shihnin problemet e brendshme. Vitin e kaluar ata iu bashkuan protestave globale mbi përgjegjësinë që ka policia.

Shumë brohorisnin emrin e 24-vjeçarit Adama Traore, familja e të cilit thotë se ai vdiq në rrethana të ngjashme sikurse zoti Floyd, pretendim ndaj të cilit janë hedhur dyshime. Vdekja e afrikano-amerikanëve ka nxitur një proces gërmimi të thellë në të shkuarën koloniale të Francës si dhe tek padrejtësitë e sotme. Autoritetet franceze janë zotuar për tolerancë zero ndaj racizmit dhe dhunës policore, si dhe kanë premtuar të ndalojnë një praktikë të diskutueshme që policia e përdor në disa raste gjatë ndalimit të një personi, sikurse është kapja për fyti. Presidenti Emmanuel Macron i quajti praktikat e profilizimit bazuar tek raca “të papranueshme”. Autoritetet policore mohojnë se ekziston racizëm sistemik. Ata thonë se policët janë të mbingarkuar e nënvlerësuar ndërsa trajtojnë rastet e dhunës në lagje problematike, duke u bërë ndonjëherë shënjestër e terrorizmit.

“Policia nuk është raciste. Përkundrazi është larmishme, përbëhet nga të gjitha përkatësitë etnike e fetare. Mund të ketë individë problematikë, por policia në vetëvete nuk është raciste”, David Olivier Reverdy, Shoqata e Policisë Kombëtare

Kritikët thonë ndryshe. Një raport i vitit 2017 i një organizmi të pavarur për të drejtat e qytetarëve, zbuloi se personat me ngjyrë në Francë, afrikanë apo arabë, kanë pesë herë më shumë gjasa të ndalohen për kontroll identiteti nga policia sesa pjesa tjetër e popullsisë. Nëntorin e kaluar katër policë në Paris u pezulluan pas shfaqjes së pamjeve filmike ku ata shfaqeshin duke qëlluar me grushte një muzikat me ngjyrë. Në janar gjashtë grupe joqeveritare njoftuan padinë e parë që përfaqëson interesat e një grupi të madh njerëzish, lidhur me pretendimin për profilizim me baza racore nga ana e policisë.

"Ne kemi luftuar me shtetin për 10 vite. Gjykata e Lartë franceze dënoi shtetin në nëntor 2016 për diskriminim dhe pas kësaj prisnim nga shteti, të respektonte ligjin, e të bënte reformë policore. Ata nuk kanë bërë asgjë”, thotë avokati Slim Ben Achour.

Një histori kjo që është dëgjuar shumë herë më parë në Francë. Aktivistët tregojnë për pabarazi më të mëdha që vazhdojnë prej kohësh e që shkojnë përtej zbatimit të ligjit e rregullit. Disa nuk presin që ndryshimi të ndodhë nga maja. Në periferi të Parisit në Bobigny, grupi i të rinjve “Nouvel Elan 93” ka marrë në patronazh disa të rinj, duke i ndihmuar ata në mësime dhe duke u ofruar alternativa aty ku ndihen më të dobët.

"Po përpiqemi t'i shtyjmë ata të arrijnë maksimumin e potencialit të tyre, sepse shumë prej tyre janë të talentuar, në sport, muzikë, teatër e gjithçka", thotë Aboubacar N’Diaye Bashkëthemelues i “Nouvel Elan 93”.

Rastet e dhunës policore trajtohen si çështje personale.

"Këto lloj gjërash nuk u ndodhin vetëm të tjerëve ato mund të na ndodhin edhe ne. Unë jam me ngjyrë e jam prekur nga kjo. Ka një lidhje të ngushtë mes protestave për George Floyd-it dhe atyre për Adama Traore".

Ai dhe aktivistë të tjerë thonë se do të duhet kohë që në Francë të zbatohen mësimet e dala nga vdekja e George Floyd-it si dhe arrihet një besim i zhveshur nga paragjykimet, tek liria, barazia e vëllazëria./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat