Portugalia lehtëson kufizimet për koronavirus

Evropë

Portugalia lehtëson kufizimet për koronavirus

Më: 1 maj 2021 Në ora: 12:21
Rrugët e Lisbonës.

Portugalia ka hapur të shtunën kufijtë tokësorë me Spanjën dhe ka nisur fazën e fundit të programit për lehtësim të masave kundër koronavirusit.

Ky shtet është goditur rëndë në fillim të këtij viti nga një valë e pandemisë që pati përballur stafin shëndetësor me nga 300 të vdekur në ditë.

Mirëpo masat e marra kanë ndihmuar në ulje të numrit të të infektuarve pasi të premten, për herë të dytë gjatë javës, nuk është regjistruar asnjë viktimë me koronavirus.

Më herët gjatë javës, kryeministri Antonio Costa ka bërë të ditura masat e fazës së katërt për lehtësim të kufizimeve.

Përveç heqjes së kontrolleve kufitare, orët e hapjes së kafiterive, restoranteve dhe qendrave kulturore janë zgjatur, sidomos në fundjavë.

Dasmat dhe organizimet tjera mund të organizohen sërish, ndonëse me 50 për qind të kapaciteteve nëpër restorante.

Virologu Pedro Simas ka thënë se pandemia brutale që ka goditur Portugalinë në dimër ka qenë “një nga valët që është kontrolluar më së shpejti në botë”.

Rreth 22 për qind e popullsisë portugeze me 10 milionë banorë, ka marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër koronavirusit.

Ndonëse kontrollet në kufi me Spanjën janë hequr, Ministria e Brendshme ka prezantuar “kontrollet mobile”, pas udhëtarët nga shtetet me mbi 500 raste për kokë banori – sikurse Franca – duhet t’i nënshtrohen masës së karantinës për 14 ditë pas hyrjes në Portugali.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat