Në Koloseumin e Romës do të rindërtohet dyshemeja e gladiatorëve

Evropë

Në Koloseumin e Romës do të rindërtohet dyshemeja e gladiatorëve

Më: 3 maj 2021 Në ora: 12:09
Koloseumi në Romë

Qeveria e Italisë miratoi planin për të rindërtuar dyshemenë në Koloseumin antik të Romës, për t’u dhënë vizitorëve mundësinë për të qëndruar atje ku dikur kanë luftuar gladiatorët.

Projekti për ndërtimin e dyshemesë prej druri u shpall nga ministri i Kulturës, Dario Franceschini.

Firma italiane inxhinierike Milan Ingegneria fitoi kontratën prej 18.5 milionë eurosh për të ndërtuar dyshemenë.

Ndërtimi pritet të përfundojë në vitin 2023.

Aktualisht, monumenti 2,000-vjeçar nuk ka dysheme.

Ajo është hequr nga arkeologët në shekullin 19, për të ekspozuar rrjetin nëntokësor të tuneleve, ku mbaheshin gladiatorët dhe kafshët, përpara se të fillonin sportet e përgjakshme.

Franceschini tha se dyshemeja e re do t'u mundësojë vizitorëve “të shohin madhështinë e Koloseumit nga qendra e tij”.

Koloseumi ishte amfiteatri më i madh në Perandorinë Romake.

Luftimet me gladiatorë dhe spektakle të tjera publike mbaheshin me së paku 50,000 spektatorë.

Më 2019 - vitin e fundit pa pandeminë e koronavirusit - Koloseumi ka tërhequr rreth 7.6 milionë vizitorë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat