Mbathja e çorapeve të gabuara në Bjellorusi është me rrezik

Evropë

Mbathja e çorapeve të gabuara në Bjellorusi është me rrezik

Më: 7 maj 2021 Në ora: 00:29
Bjellorusi

Autoritetet e Bjellorusisë tani po ndëshkojnë jo vetëm ata që mbajnë flamurin kuq e bardhë të opozitës, por edhe njerëzit të cilët po mbathin çorape me këto dy ngjyra.

Një grua derisa po shkonte në orët për vozitje, u kap nga katër burra me maska në Minsk. Ata i thanë se ishte veshur papërshtatshëm.

Arsyeja? Ajo kishte mbathur çorape të bardha me vijë të kuqe, të ngjashme me flamurin e ndaluar, shkruan BBC.

Flamuri i bardhë me një shirit të kuq nëpër të ka qenë flamuri i nacionalistëve bjellorusë për periudha të shkurtra gjatë shekullit 20.

Komunistët sovjetikë e zëvendësuan atë me një flamur kuq e gjelbër, me disa simbole në të. Ai flamur u rikthye nga presidenti Aleksandër Lukashenko në vitin 1995 – pas rënies së komunizmit – por pa simbolet që kishte.

Një gjykatës e urdhëroi Natalia Sivtsova-Sedushkina të paguante rreth 906 dollarë. Ajo u ndoq penalisht nën ligjet që ndalojnë protestat e paautorizuara. Çorapet e saja ofenduese shiheshin qartë pasi kishte veshur pantallona të shkurtra.

Dyqani në internet ku ajo bleu çorapet, tani ka ndaluar shitjen e tyre – por shet çorape të tilla por vetëm me vija të zeza.

Sivtsova-Sedushkina ishte gjobitur me një shumë të ngjashme edhe më herët pasi zbukuroi ballkonin e saj me shirita të kuq dhe të bardhë.

Mijëra protestues mbushën rrugët e Minskut për muaj me radhë vitin e kaluar, të zemëruar pasi Lukashenko u rizgjodh në gusht në një proces votimi që u vlerësua si i manipuluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat