Britania lehtëson udhëtimet jashtë vendit

Evropë

Britania lehtëson udhëtimet jashtë vendit

Më: 8 maj 2021 Në ora: 20:06
Britani

Qeveria britanike ka njoftuar lehtësimin e kufizimeve për udhëtimet jashtë shtetit, nga 17 Maji, duke përjashtuar nga karantina personat që mbërrijnë në vend nga 12 vende, përfshirë Izraelin dhe Portugalinë, por jo Francën.

Gjatë një konference shtypi, ministri i Transportit, Grant Shapps njoftoi heqjen e ndalimit të udhëtimit për jashtë shtetit, në fuqi që nga janari për udhëtimet thelbësore dhe krijimin e një sistemi kufizimesh që i klasifikojnë vendet në tri kategori, sipas situatës së tyre shëndetësore.

Ministri shpjegoi se heqja e kufizimeve ishte “domosdoshmërisht e matur”, sepse qeveria “duhet të sigurojë absolutisht që vendet me të cilat ne rilidhemi të jenë të sigurta, nivelet e tyre të infektimit të ulëta dhe nivelet e vaksinimit të larta”.

Në listën e gjelbër janë 12 vende, përfshirë Portugalinë, Izraelin, Gjibraltarin, Australinë, Zelandën e Re dhe Singaporin. Shqipëria nuk përfshihet në listën e këtyre vendeve, edhe pse qeveria deklaroi se vendi ynë ka dalë nga zona e kuqe e pandemisë së COVID-19.

Për këto vende, testet për COVID-19 do të jenë ende të detyrueshme para dhe pas mbërritjes.

Shumica e vendeve, përfshirë destinacionet e njohura për britanikët, si Franca, Italia, Spanja dhe Greqia, mbeten të klasifikuara në zonën “portokalli”, që do të thotë se udhëtarët do të duhet të ndjekin një karantinë prej të paktën pesë ditësh, kudo që duan të shkojnë, si edhe t’u nënshtrohen kontrolleve të shumta.

Për vendet në listën e kuqe, vetëm banorët britanikë mund të kthehen në Angli, por duhet t’i nënshtrohen një karantine në hotel prej 11 netësh me shpenzimet e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat