Greqia në alarm për turizmin, Ministri niset urgjent në Berlin, Varshavë dhe Londër

Evropë

Greqia në alarm për turizmin, Ministri niset urgjent në Berlin, Varshavë dhe Londër

Më: 9 maj 2021 Në ora: 14:34
Greqi

Menjëherë pasi është mësuar lajmi se Greqia nuk është në listën jeshile të 12 vendeve pa karantinë që do të mund të vizitojnë turistët britanike dhe gjermane pas 17 Majit për shkak të situatës epidemiologjike ende të rënduar, qeveria greke është vënë në alarm për të shpëtuar turizmin, sektorin e saj kryesor të ekonomisë, pasi filluan edhe anulimet e para të rezervimeve.

Ministri i Turizmit, Xaris Theoharis është nisur urgjent në Berlin, Varshavë dhe më pas në Londër për të biseduar me autoritetet dhe zyrat e mëdha turistike të këtyre vendeve.

Berlini dhe Londra kane cilësuar se Greqia, ashtu si edhe Spanja e Franca janë ende në hartën me ngjyrë portokalle dhe jo jeshile, ndaj dhe të gjithë ata që duan t’i vizitojnë ato kur të kthehen, duhet t’i nënshtrohen një karantine 10 ditore. Vërtet qe masa ne fjale është e përkohshme dhe do te shqyrtohet përsëri në fund të majit, por Athina kërkon të mos humbasë as edhe një ditë.

Tregu britanik është tregu i dytë më i rëndësishëm për turizmin grek pas atij gjerman, pasi në 2019 kanë vizituar Greqinë 3.5 mln britanikë, që sollën edhe të ardhura prej 2.56 mld euro.

Ndërsa nga Gjermania mbërritën në të njëjtin vit 4mln turistë me xhiro gati prej 3 mld euro. Edhe viti i kaluar , i cunguar për turizmin për shkak të pandemisë solli 1 mln britanikë dhe 1.5 mln gjermane duke dhënë një frymëmarrje shprese për vendin.

Greqia vetëm kohët e fundit ka stabilizuar shkallën e saj të infeksioneve dhe vdekjeve nga Covid-19 pas një rritje që filloi në mars dhe vazhdoi deri së fundmi me një mesatare rastesh ditore mbi 2000 dhe vdekjesh mbi 75, kur numri i viktimave ka shkuar rreth 11000.

Me mbi 10% të popullsisë të vaksinuar plotësisht dhe 24% me një dozë, autoritetet kanë njoftuar lehtësime të masave prej kësaj jave duke filluar me hapjen e shkollave dhe kopshteve , apo dhe më pas me lëvizjen e lirë mes 54 rajoneve administrative të vendit duke pasur besim se vaksinimi masiv i popullsisë do të sjellë shumë shpejt një valë të madhe turistësh në vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat