Corona:"Studentët fantazëm" të Francës akuzojnë

Evropë

Corona:"Studentët fantazëm" të Francës akuzojnë

Më: 10 maj 2021 Në ora: 21:23
Foto ilustrim

Kafenetë, kinematë dhe muzetë do të hapen në Francë në mes të muajit. Vetëm universitetet do të qëndrojnë të mbyllura deri në një njoftim tjetër. Zemërimi për politikën gjatë Coronas po rritet në universitete.

Kur Sabrina Reitnauer i filloi studimet e saj jashtë vendit në Universitetin Sorbonne Nouvelle në Paris shtatorin e kaluar, ajo kishte pritje të qarta për jetën në kryeqytetin francez. "Vizita në muze, programe të shkëlqyera kulturore, shumë art, natyrisht festa studentore dhe shumë mundësi për të takuar njerëz të rinj." Disa javë para përfundimit të semestrit, 20-vjeçarja është ulur në banesën e saj prej 35 metrash katrorë para portave të Parisit, duke studiuar për provimet dhe vështirë se mund të quajë të ezauruar ndonjë gjë nga kjo listë. Reitnauer dhe shokët e saj studentë kanë ngecur në mbylljen e universitetit.

Kjo në një kohë kur javët e saj të para në Francë nisën premtuese. Mësime me prani fizike në universitet, kafene të hapura: jeta në Paris premtonte një normalitet maksimal për kohë pandemish. Por në fund të tetorit Franca nisi mbylljen dhe universitetet kaluan në mësimdhënie në internet - fati i shumicës së studentëve në Evropë.

Ndërsa qeveria franceze i mbylli shkollat vetëm shkurt në muajt e fundit, kufizimet në universitete deri tani janë lehtësuar minimalisht: "Ne na lejohet të ndjekim një leksion në universitet për një orë një herë në javë. Megjithatë, ekziston një kufizim për çdo kurs, që mund të marrësh pjesë fizikisht në mësim për një maksimum prej dy ditësh në semestër ". Studimet gjermano-franceze që Reitnauer po i ndjek në një program në Shkollën e lartë Gjermano-Franceze (DFH) gjermania po i ndjek në radhë të parë virtualisht.

Valë protestash kundër qeverisë

Masat e rrepta në universitete kanë çuar në protesta masive nga studentët në Francë. Pasi brezi i ri doli në rrugë në fillim të vitit, Presidenti Emmanuel Macron u përgjigj me një program të ndihmës shtetërore: që nga ajo kohë, studentët kanë përfituar me vakte prej një euro në mensa dhe nga kuponë për vizita falas te psikologët.

Image

Sabrina Reitnauer e financon gjysmën e qirasë së saj duke dhënë mësim si tutore për një student në Gjermani - përmes videokonferencës. Përveç kësaj, ajo merr mbështetje nga programi Erasmus i BE dhe një bursë nga Universiteti Franko-Gjerman. Prandaj, studentja nuk varet nga vaktet prej një euro - ajo preferon të gatuajë me miqtë në banesën e saj të përbashkët për t'i shpëtuar izolimit shoqëror. "Shumë studentë francezë," raporton Reitnauer, "janë kthyer te prindërit e tyre në provinca". Ata tani po ndjekin mësimet në internet nga dhomat e fëmijërisë së tyre.

Fakti që qeveria ka rihapur kopshtet dhe shkollat ​​pas mbylljes së shkurtër në prill dhe ka njoftuar hapat të ngjashëm për kafenetë dhe muzetë për mesin e majit po e rrit tani zhgënjimin në universitete. Nën hashtagun #etudiantsfantomes, të rinjtë ankohen në rrjetet sociale për një brez që ata besojnë se po sakrifikohet nga shteti.

Një sondazh i institutit demoskopik ifop paraqet imazhin e një brezi prej 16 deri në 28 vjeçarësh, të cilët vuajnë nga pasojat e pandemisë. 31 përqind e të anketuarve thanë se izolimi shoqëror ishte më i vështirë për t'u duruar - 39 përqind ishin të rënduar nga fakti se nuk mund të qarkullonin më lirisht.

Studime të tjera sugjerojnë gjithashtu që studentët po ndeshen me pandeminë shumë më keq sesa brezat e vjetër - jeta e tyre ka ndryshuar veçanërisht brutalisht. Një seri vetëvrasjesh studentore disa javë më parë gjithashtu nxitën një debat të gjerë në Francë.

"Rininë e ka braktisur guximi për të jetuar"

Tani është e paqartë nëse do të jenë në gjendje universitetet të kthehen në funksionimin normal në vjeshtë pas pushimit të semestrit. Gjithsesi trauma e Coronas nuk mund të eleminohet shpejt - ajo shkon përtej universiteteve. Lisa Ouss, psikiatre e fëmijëve dhe adoleshentëve në Spitalin e njohur të Fëmijëve Necker në Paris, flet në një intervistë për gazetën e përditshme "Le Figaro" për një mungesë dramatike të shtretërve spitalorë në zonën e saj. Aktualisht ka edhe një mungesë shtretërish për të akomoduar të gjithë fëmijët dhe adoleshentët që e kanë tentuar njëherë vetëvrasjen.

Image

"Ne po regjistrojmë një shumëfishim të përpjekjeve për vetëvrasje dhe një përdorim përkatës të ofertave të ndihmës. Kjo prek të gjitha grupmoshat: nga fëmijët e vegjël tek studentët," tha Ouss. Bilanci i gjendjes deziluzionuese të mjekes: "Të rinjtë kanë humbur guximin për t'u përballur me jetën".

Parisi pa turistë

Edhe Sabrina Reitnauer ka përjetuar faza të vështira në Paris - ajo flet për një tra të hollë në të cilin duhet të mbajë ekuilibrin. Jeta ishte e vështirë veçanërisht gjatë mbylljes, kur lejohej të lëvizte vetëm një kilometër rreth banesës. Por 20-vjeçarja preferon të theksojë përvojat pozitive. Sidomos në kursin e saj të vogël të studimit, përvoja pandemike i afron njerëzit. Bëhen përpjekje për të kaluar sa më shumë kohë së bashku në grupe të vogla. Dhe Parisi i mbyllur ka gjithashtu sharmin e tij: "Qyteti është shumë i zbrazur. Ndonjëherë është shumë, shumë i qetë. Në shëtitjet e mia nëpër Paris kam parë qoshe që nuk do t'i shihja siç i pashë me grumbujt e njerëzve në kohë normale".

Kujtimet e Parisit që do të mbeten, kur të kthehet pas verës. Do të mbetet ndoshta edhe diçka tjetër: hapi teknologjik, që imponoi pandemia. Seminaret në internet janë bërë të natyrshme, teknologjia kapërcen distancat dhe mundëson gjithashtu përvoja të reja. Gruaja nga Landi i Zarës e përjetoi këtë përsëri këtë javë. Si përfaqësuese e programit të saj të studimit, ajo u bë pjesë e një debati me video në internet midis ministrave të ekonomisë të Gjermanisë dhe Francës. "Një përvojë e shkëlqyer", thotë ajo. Sidomos pasi ministrat patën rezervuar kohë për t'u ndalur personalisht te shqetësimet e brezit të ri../DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat