Turqia thotë se do të vazhdojë blerjet ushtarake nga Rusia

Evropë

Turqia thotë se do të vazhdojë blerjet ushtarake nga Rusia

Më: 17 maj 2021 Në ora: 23:38
Foto

Turqia po kërcënon të vazhdojë me blerjet ushtarake ruse pavarësisht paralajmërimeve nga Uashingtoni. Kërcënimi vjen ndërsa përplasja midis anëtarëve të NATO-s thellohet lidhur me blerjen nga Ankaraja të një sistemi rus raketash.

Ndërsa Uashingtoni rrit presionin ndaj Ankarasë për t’u tërhequr nga blerja sistemeve ruse të mbrojtjes nga raketa S 400, ministri turk i mbrojtjes Hulusi Akar mbrojti këtë muaj synimet e tij, duke hedhur poshtë shqetësimet amerikane.

Ky nuk është një sistem për sulme, tha Akar, duke shtuar se aty ku është dislokuar ai nuk mund të kërcënojë absolutisht askënd.

Uashingtoni thotë se radari i përparuar i raketave S 400 përbën një kërcënim për sistemet e mbrojtjes së NATO-s dhe bën thirrje për heqjen e tij.

Por Ankara ka thënë se po shqyrton blerjen e më shumë të raketave ruse. Një burim i afërt me qeverinë thotë se Turqia tashmë ka arritur një marrëveshje me Moskën.

Muajin e kaluar, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken paralajmëroi Turqinë se mund të përballet me sanksione nëse blen armë të tjera ruse, përfshirë sisteme shtesë të raketave S 400.

Për shkak të shqetësimeve mbi raketat S 400, Uashingtoni kishte bllokuar Turqinë nga modernizimi i avionëve të saj të vjetër luftarakë me ato F-35 të Amerikës. Por këshilltari i presidentit turk Mesut Casin paralajmëroi se Uashingtoni po e detyron Turqinë që të thellojë edhe më tej lidhjet e saj ushtarake me Rusinë.

Analistët parashikojnë që Ankaraja nuk do të bëjë asnjë blerje të re të armëve ruse deri në një takim të planifikuar midis presidentëve turk dhe amerikan në kuadër të takimit të nivelit të lartë të NATO-s muajin e ardhshëm.

Ilham Uzgel, një analist i marrëdhënieve ndërkombëtare në portalin Duvar News thotë se blerja e raketave ruse po mban peng marrëdhëniet turke të SHBA.

“Është një lloj parakushti që SHBA i imponon Turqisë dhe nuk kam parë ndonjëherë më parëqë Turqia të vërë veten në një pozitë kaq bllokuese”, thotë ai.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusolgu tha se Uashingtoni duhet të heqë dorë nga kundërshtimet e tij, duke qëndruar i vendosur në pozicionin se Turqia nuk do ta kthente mbrapsht blerjen e saj të raketave ruse.

Por disa analistë parashikojnë që Ankaraja mund të jetë e gatshme të bëjë një marrëveshje nëse Uashingtoni bën lëshime./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat