Kryeministri italian përplaset me Vatikanin për pr/ligjin LGBT

Evropë

Kryeministri italian përplaset me Vatikanin për pr/ligjin LGBT

Më: 24 qershor 2021 Në ora: 22:23
Papa Françesku dhe Mario Draghi

Kryeministri italian Mario Draghi i kujtoi Vatikanit se Italia është një shtet laik, si përgjigje ndaj kritikave të “Selisë së Shenjtë” për një projekt-ligj kundër homofobisë.

Teksti mbi "masat për të parandaluar dhe luftuar diskriminimin dhe dhunën në bazë të seksit, gjinisë, orientimit seksual, identitetit gjinor dhe paaftësisë" u miratua nga Dhoma e Deputetëve në nëntor dhe tani po debatohet në Senat.

Vatikani iu drejtua Senatit para një jave me një gjuhë të drejtpërdrejtë kundër kësaj nisme.

Kryeministr Draghi theksoi se Italia është "një shtet laik kështu që Parlamenti është sigurisht i lirë të debatojë dhe të hartojë ligje". "Sistemi ynë ligjor përmban të gjitha garancitë për të siguruar që ligjet gjithmonë respektojnë parimet kushtetuese dhe angazhimet ndërkombëtare, përfshirë Konkordatin me Kishën”, tha ai.

"Sekularizmi nuk është indiferenca e shtetit ndaj fenomenit fetar, sekularizmi është mbrojtja e pluralizmit dhe diversitetit kulturor”, vijoi Draghi.

Draghi kujtoi se Italia është në mesin e vendeve anëtare të Bashkimit Europian që ka dënuar ligjet e fundit anti-LGBT në Hungari në një deklaratë të përbashkët.

Vatikani kundërshton projektligjin me arsyetimin se ai bie ndesh me Concordat (marrëveshjen) në fuqi mes Italisë dhe Selisë së Shenjtë, sepse "zvogëlon lirinë e Kishës Katolike për sa i përket organizimit dhe ushtrimit të besimit, si dhe lirinë e plotë të shprehjes dhe mendimit të dhënë për besimtarët dhe për shoqatat katolike”.

Projekt-ligji, i prezantuar nga Alessandro Zan, një ligjvënës nga Partia Demokratike e qendrës së majtë, nuk përjashton shkollat katolike italiane nga një detyrim për të marrë pjesë në aktivitetet për ditën kombëtare kundër homofobisë, e cila do të vendoset në 17 maj.

Zan mirëpriti fjalët "e shkëlqyera" të Draghi në Twitter, duke shkruar: "Tani i takon Senatit të miratojë një ligj që e vendos Italinë në Europën e të drejtave, duke u distancuar nga modeli diskriminues dhe i turpshëm i Orban, pa humbur më shumë kohë ".

Italia dhe Vatikani normalizuan marrëdhëniet e tyre me Marrëveshjen e Lateranit në 1929, pas gjashtëdhjetë vjet krize. Ato përfshijnë një Concordat që u rishikua në 1984 për t'i dhënë fund statusit të veçantë të fesë katolike, e cila nuk është më feja shtetërore në Itali.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat