THW: Dora që jep ndihmë të çmuar në raste katastrofash në Gjermani

Evropë

THW: Dora që jep ndihmë të çmuar në raste katastrofash në Gjermani

Më: 20 korrik 2021 Në ora: 13:39
Gjermani

Ç'bën THW pas katastrofës? Punonjësit e saj japin ndihma të rëndësishme në zonat e prekura: Vendosin njerëzit në siguri, thithin ujin nga objektet, furnizojnë me ujë e energji, pastrojnë rrënojat.

Për të ndihmuar në kushtet e katastrofës së vërshimeve në Gjermani aktualisht janë angazhuar rreth 2.100 forca ndihme nga 165 njësi lokale të Shoqatës federale të Ndihmës Teknike, THW. Secila njësi është e pajisur me aparatura moderne, që garantojnë rikuperim të shpejtë të dëmit në kushte emergjence. Pompat speciale që po përdor aktualisht njësia përkatëse e THW-së në Euskirchen, një nga zonat e prekura fort prej katastrofës në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë arritën që të heqin ujn nga ndërtesat duke u mundësuar banorëve të kthehen brenda dy ditësh në shtëpitë e tyre. Ndihma e vullnetarëve të THW-së është e shumëllojmshme dhe jashtëzakonisht e çmuar për të prekurit nga katastrofa e fatkeqësi.

Fillimet e THW

Image

Më 22 gusht 1950 ministri i Brendshëm i atëhershëm, Gustav Heinemann, autorizoi krijimin e një shërbimi civil për vendosjen e rregullit. Ish-oficeri pionier, arkitekt dhe inxhinier ndërtimi Otto Lummitzsch e mori përsipër këtë detyrë.

Lummitzsch pati themeluar në vitin 1919, pak pas Luftës së Parë Botërore, organizatën civile Ndihma Teknike e Emergjencës (TN), e cila pasonte një organizatë ushtarake. Më 1934 ajo u shpërbë prej nacionalsocialistëve, sepse refuzoi, që të përjashtonte nga radhët e veta një grua „gjysmë hebreje". Më 1950 Lummtizsch u angazhua prej Ministrisë së Brendshme si drejtori i parë i Shoqatës për Ndihmën Teknike (THW), e cila që nga 25 gushti 1953 operon në nivelin e një organizate federale me administratën e vet duke qenë e atashuar pranë Ministrisë së Brendëshme.

Image

THW ka rreth 80.000 punonjës

Aktualisht THW angazhon 80.000 ndihmës, ndër ta janë 15.000 të rinj, të cilët në kohën e lirë ndihmojnë të tjerët që ndodhen në vështirësi. Këta ndihmës janë të organizuar në 668 shoqata lokale. Organizata ka rreth 1800 vetë të punësuar me kontrata fikse, ndërsa pjesa tjetër punojnë mbi bazë vullnetare.

THW ndihmon në raste katastrofash dhe fatkeqësish jo vetëm në Gjermani, por në mbarë botën. Që prej themelimit THW është aktive në më shumë se 130 vende.

Image

Që nga ndërtimi i urave e deri tek furnizmi me ujë të pijshëm. Lista e sektorëve ku angazhohen ndihmësit e THW-së është e gjatë dhe e shumëllojshme. Ndaj shoqata angazhon shumë vetë nga sektorë me profile të ndryshme profesionale, të cilët brenda shoqatës janë të organizaur në njësi sipas profesionit. Ka grupet e heqjes së rrënojave dhe gjetjen e të zhdukurve, njësinë e ndërtimit të urave dhe të furnizimit me energji, lokalizimin dhe pastrimin e zonave të dëmtuara nga nafta, apo njësinë e furnizimit me ujë të pijshëm.

Në THW është i mirëseardhur kushdo që ka dëshirë pavarësisht nga mosha dhe profesioni. Fëmijët dhe të rinjtë pranohen në grupet e të rinjve që nga mosha dhjetë vjeç. Por duhet të jeshtë paktën 17 vjeç për të marrë pjesë aktive në shërbimin e ndihmave.

Vullnetarët përgatiten falas në kurset përkatëse. Ndër të tjera ata mësojnë se si të përdorin veglat dhe pajisjet e ndryshme apo si të japin ndihmën e shpejtë. THW u garanton vullnetarëve kompensim page për ditët e shkëputjes nga puna, kostot e udhëtimit si dhe sigurimin për periudhën e shërbimit. Po ashtu ndihmësve u vihen në dispozicion edhe veshjet përkatëse gjatë shërbimit si dhe veshjet mbrojtëse në varësi të sektorit të operimit me ndihmat./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat