Plagët e luftës në Armeni

Evropë

Plagët e luftës në Armeni

Më: 22 korrik 2021 Në ora: 17:54
Armeni

Armenia po përpiqet të lërë pas luftën e vitit 2020 me Azerbajxhanin fqinj dhe trazirat politike që shoqëruan zgjedhjet e fundit. Me zbutjen e trazirave sociale dhe politike të muajve të fundit, shumë armenë janë në gjendje të shqyrtojnë dhe trajtojnë plagët e luftës, përfshirë humbjen e gati 4,000 ushtarëve. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Pablo Gonzalez njofton.

Gohar Antonyan humbi djalin e saj, Karo, gjatë luftës së fundit në Karabakun e Epërm. Ai ishte një ushtar i ri 20-vjeçar, i cili u vra si pasojë e një sulmi azerbajxhanas me dronë.

Vdekja e tij e la familjen të pikëlluar, një histori që duket se përsëritet në të gjithë Armeninë.

"Pas kësaj lufte ne nuk presim më asgjë nga jeta, ne jetojmë ditë pas dite, dhe unë falënderoj Zotin që mund të jetoj", thotë Gohar Antonyan për Zërin e Amerikës.

"Karo", i njohur gjithashtu si Karapet Antonyan, ishte një nga mijëra ushtarë të vrarë gjatë luftës me Azerbajxhanin fqinjë, një konflikt që ka mbushur këtë varrezë në periferi të Jerevanit me trupa djemsh jashtëzakonisht të rinj. Është një traumë kombëtare e ngulitur në zemrat e shumë armenasve.

"Ne nuk mund ta shohim, por e dimë që ai është gjithmonë me ne, çfarëdo që të bëjmë ai është me ne. Ne jetojmë tani për ta kujtuar atë", thotë Gohar Antonyan për Zërin e Amerikës.

Dhe plagët janë të dukshme.

Në këtë qendër rehabilitimi për të plagosurit e luftës, konflikti mbushi korridoret me pothuajse 2000 pacientë. Tani, 9 muaj pas përfundimit të luftës, ata ende trajtojnë 300 njerëz, shumica e tyre më të rinj se 30 vjeç.

“Shumica janë të plagosur nga shpërthimet që gjenerojnë lëndime të shumta. Ata kanë prerë gjymturët dhe kanë trauma shumë serioze", thotë Dr. Lusine Pogosyan me qendrën Defender of the Fatherland.

Shenjat në shoqërinë armene janë të dukshme.

Vëzhgues të pavarur janë të shqetësuar se paqja pas armëpushimit do t'i lerë vendin dëshirës për hakmarrje.

“Në Armeni, ndjenjat revanshiste janë shumë të forta. Një pjesë e konsiderueshme e strukturave politike nuk e humbasin shpresën për t'u hakmarrë për disfatën e vitit të kaluar", thotë Andrey Kortunov me Këshillin Rus për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Por për Gohar Antonyan-in, asgjë nuk mund ta kthejë në jetë djalin e saj.

"Djali im nuk u kthye nga lufta, por unë nuk mund të fajësoj askënd për të. Kështu është lufta. Askush nuk mund të jetë i sigurt se kush do të kthehet dhe kush jo".

Shumë janë zhdukur pas luftës së vitit të kaluar, por dhimbja e humbjes dhe disfatës janë aty./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat