Italia zgjat gjendjen e saj të emergjencës nga COVID-19 deri më 31 dhjetor

Evropë

Italia zgjat gjendjen e saj të emergjencës nga COVID-19 deri më 31 dhjetor

Më: 23 korrik 2021 Në ora: 18:02
Itali

Italia njoftoi të enjten masa të reja kundër COVID 19 pasi infeksionet filluan të rriten përsëri, kryesisht për shkak të variantit Delta. Numri i infeksioneve të reja me koronavirus u dyfishua javën e kaluar. Italia tani regjistron çdo ditë më shumë se 5,000 raste të reja. Mes shqetësimeve se numri do të vazhdojë të rritet, Kryeministri Italian Mario Draghi përcaktoi rregulla të reja të enjten në mbrëmje që do të hyjnë në fuqi më 6 gusht dhe do të vazhdojnë deri më 31 dhjetor.

Kryeministri Draghi tha se e ashtuquajtura Leja Jeshile do të kërkohet në Itali për shumë shërbime, përfshirë argëtimin dhe kohën e lirë. Leja Jeshile është karta që tregon se një individ ka marrë të paktën një dozë vaksine, ka dalë negativ në 48 orët e fundit ose është shëruar nga koronavirusi.

Rregullat e bëjnë Lejen Jeshile të nevojshme për të ngrënë në restorante dhe bare dhe për të marrë pjesë në ngjarje sportive, në muze, kinema, panaire dhe takime.

Kryeministri Draghi tha se ekonomia e Italisë po ecën mirë dhe madje po rritet më shumë se vendet e tjera të Evropës. Ai tha se Leja Jeshile është thelbësore "për të mbajtur të hapur aktivitetin ekonomik" në mënyrë që njerëzit të mund të argëtohen "duke qenë të sigurtë se nuk do të kenë pranë njerëz të infektuar".

Ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza tha se 40 milionë italianë kanë tashmë Lejen Jeshile, duke shtuar se vaksinimi është mënyra më e mire për të "tejkaluar sezonin më të vështirë me të cilin na është dashur të përballemi".

Kryeministri Draghi gjithashtu u bëri thirrje italianëve që nuk e kanë marrë ende vaksinën, ta bëjnë atë menjëherë për të mbrojtur veten dhe familjet e tyre.

Qeveria do të zhvillojë diskutime të mëtejshme në fillim të javës së ardhshme për të vendosur nëse Leja Jeshile do të kërkohet për të përdorur transportin publik, në shkollë dhe në vendet e punës.

Ndërkohë, Italia miratoi parametra të rinj për të përcaktuar se si do të ndryshojnë ngjyrat që reflektojnë gjendjen e pandemisë në të gjitha rajonet e vendit. Statusi i tyre nuk do të bazohet më në numrin e infeksioneve, por në numrin e njerëzve të shtruar në spitale dhe njësitë e kujdesit intensiv që po trajtohen për COVID-19./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat