Parlamenti i Republikës Sërpska e shpall të pazbatueshëm ndalimin e mohimit të gjenocidit

Evropë

Parlamenti i Republikës Sërpska e shpall të pazbatueshëm ndalimin e mohimit të gjenocidit

Më: 30 korrik 2021 Në ora: 18:36
Fotografi ilustruese. Një mbledhje e Parlamentit të Republikës Srpska

Parlamenti i Republikës Sërpska të premten miratoi me procedurë urgjente Ligjin për Moszbatimin e Vendimit të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë (BeH) Valentin Inzko për ndalimin e mohimit të gjenocidit në këtë shtet.

Deputetët po ashtu miratuan ndryshime ligjore në bazë të cilave do të dënohen ata të cilët Republikën Sërpska e thrrasin si “krijim gjenocidial”.

“Me këtë vendim, Inzko e shtyu Bosnjën në krizën më të madhe pas luftës", deklaroi në një konferencë për media, Nedelko Qubrilloviq, kryetari i Parlamentit të Republikës Sërpska.

“Institucionet e Republikës Sërpska nuk do të bashkëpunojnë me autoritetet e Bosnjës në lidhje me zbatimin e vendimit të Përfaqësuesit të Lartë”, shtoi ai.

Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Valentin Inzko, duke i përdorur kompetencat e Bonit, me 23 korrik vendosi ndryshime në Kodin Penal të këtij shteti, me të cilat ndalohet dhe dënohet mohimi i gjenocidit dhe madhërimi i kriminelëve të luftës.

Kompetencat e Bonit i japin atij të drejtë për të shtyrë përpara vendime, për të cilat akterët e tjerë politikë nuk shfaqin vullnet. Inzko e mori këtë vendim disa ditë para përfundimit të mandatit të tij në Bosnje.

Ky vendim parashikon burgim nga tre muaj deri në tre vjet, për të gjithë ata persona që publikisht nxisin dhunë ose urrejtje ndaj një grupi personash ose ndaj një anëtari të një grupi racor, fetar apo që ka kombësi e origjinë tjetër etnike.

Pas njoftimit të vendimit të Përfaqësuesit të Lartë, Milorad Dodik, anëtar i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, tha se Valentin Inzko nuk ka të drejtë të imponojë një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit, duke shtuar se ky vendim është “i pabazuar”.

"Republika Sërpska duhet të fillojë procesin e shpërbërjes, nuk ka dialog në Bosnje e Hercegovinë”, kishte deklaruar Dodik.

Përfaqësues të Republika Sërpskës nisën më 26 korrik bojkotimin e institucioneve qendrore të Bosnjës, për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal.

Ligji me ndryshimet e Inzkos ka hyrë në fuqi më 28 korrik.

Gjatë luftës së viteve 1990, forcat serbe vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë konstatoi në vitin 2007 se këto vrasje kanë përbërë gjenocid.

Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, u dënua me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat