Ekspertët francezë propozojnë vaksinim të detyrueshëm të popullsisë

Evropë

Ekspertët francezë propozojnë vaksinim të detyrueshëm të popullsisë

Më: 1 gusht 2021 Në ora: 16:15
Foto ilustrim

Shtimi i rasteve të infektimeve në Francë ka detyruar shoqatat e mjekëve të propozojnë vaksinimin e detyrueshëm të të gjithë popullsisë. Mediat franceze citojnë drejtuesit e Federatës Spitalore Franceze, një prej grupeve më të mëdha të mjekëve në vend, të cilët thonë se vetëm përmes imunizimit të gjithë popullatës mund të arrihet në frenimin e ritmeve të përhapjes së mutacionit Delta dhe koronavirusit në përgjithësi, e për të zbehur efektet e këtij virusi tek të prekurit. Propozimi erdhi pasi në Francë, këtë javë infektimet ditore arritën nivelet e valës së periudhës së përhapjes Mars – Prill me mbi 20 mijë raste.

Në Britaninë e Madhe, autoritetet po përpiqen të joshin përmes ofertave, të rinjtë skeptikë për t’u vaksinuar. Autoritetet propozojnë uljen e çmimeve të transportit publik dhe në restorante, për ata persona që vaksinohen.

Pak ditë më parë edhe presidenti amerikan Joe Biden propozoi 100 dollarë për ata persona që pranojnë të vaksinohen. Infektimet ditore në Shtetet e Bashkuara janë në nivelin e Shkurtit me mbi 100 mijë raste, periudhë në të cilën përfundoi vala e tretë.

Në Shtetet e Bashkuara dhe gjithë Europën, vaksinimi shihet si mënyra e vetme për të frenuar rritjen e shifrave të viktimave. Kjo vërtetohet edhe nga fakti se përhapja e mutacionit indian nuk ka shkaktuar shtim të viktimave në vendet me proces të përparuar vaksinimi. E kundërta ndodh në Rusi, ku me valën e përhapjes së variantit indian, viktimat ditore janë në nivelet më të larta për gjithë periudhën e pandemisë, e ku vaksinimi vijon me ritme shumë të ulëta.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat