Zgjerimi i BE në programet zgjedhore të partive gjermane

Evropë

Zgjerimi i BE në programet zgjedhore të partive gjermane

Më: 4 shtator 2021 Në ora: 09:58
Ilustrim

Thuajse të gjitha partitë e mbështesin zgjerimin e BE me anëtarë të rinj. Por programet zgjedhore dallohen në ritmet e dëshiruara të zgjerimit dhe në interesin e partive për shtetet kandidate, shkruan Auron Dodi.

CDU/CSU ka fiksuar në programin e saj zgjedhor parimin e përgjithshëm për thellimin, para zgjerimit të BE. CDU/CSU mendon, se nuk duhet të rrezikohet kohezioni i brendshëm i BE nga anëtarët e rinj. Kjo do të thotë për CDU/CSU-në, se vendet kandidate duhet t'i plotësojnë plotësisht kriteret e pranimit. 

Kurse partia socialdemokrate, SPD shkruan në program se ndikimi në rritje i shteteve të tjera, në Evropën juglindore dhe jugore, kërkon një drejtim të ri të politikës së fqinjësisë ndaj shteteve të Ballkanit. Socialdemokratët gjermanë shkruajnë në program, se angazhohen për afrim më të madh me shtetet e Evropës Juglindore.  

Image
Kancelarja Merkel (CDU) inicioi edhe Procesin e Berlinit për afrimin e Balllkanit Perëndimor me BE, pamje nga takimi i parë 28 gusht 2014

Ballkani Perëndimor i pranishëm në programet zgjedhore

Ballkani Perëndimor përmendet në programet zgjedhore të partive kryesore. CDU/CSU kërkon që të "intensifikohet lidhja e shteteve të Ballkanit Perëndimor me BE". Me këtë formulim të kujdesshëm në program kjo parti i shërben pjesës më konservatore të saj, që është skeptike ndaj një afrmi të nxituar të Ballkanit Perëndimor me BE.

Kurse Partia Socialdemokrate, SPD kërkon shprehimisht "integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE". 

Image
SPD kërkon integrimin e shteteve të Ballkanit në BE. Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane, Michael Roth (SPD) gjatë vizitës në Tiranë

Në mënyrë më të detajuar dhe konkrete shprehen për Ballkanin dhe për shqiptarët në programin e tyre Të Gjelbrit. Të Gjelbrit kërkojnë në program përparime konkrete në integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ata kërkojnë "hapjen e kapitullit të parë të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut". Më tej ata kërkojnë "liberalizimin e vizave për kosovarët".  Ndërsa përparimet në dialogun Serbi-Kosovë i quajnë "të domosdoshme". 

Të Gjelbrit kërkojnë në program pajtimin në Ballkan dhe nxjerrjen para drejtësisë "të krimeve të luftës". Shkruajnë edhe se "kundërshtojnë qartë zhvendosjet etnike të kufijve". 

Qëndrimet e partive më të vogla ndaj zgjerimit të BE

Liberalët e FDP-së, që marrin rreth 12 përqind në sondazhe, nuk shprehen konkretisht në program për zgjerimin e BE dhe Ballkanin. 

Kalimthi shprehet për këtë temë partia E Majta (një pjesë e kësaj partie vjen nga partia shtet e RDGJ). E Majta, që merr rreth 6 përqind në sondazhe kërkon që kandidatët aktualë dhe të ardhshëm të BE të deklarohen pa rezerva për demokracinë dhe të drejtat e njeriut.  Por vëmendja kryesore e kësaj partie është te Turqia. 

Image
Të Gjelbrit kërkojnë hapjen e kapitullit të parë të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

E vetmja parti që shprehet në program kundër zgjerimit të BE është partia populiste ultra e djathtë, AfD. AfD shkruan se e "refuzon me rreptësi zgjerimin e BE".  Kjo parti kërkon vetëm "një partneritet të privilegjuar me shtetet e Ballkanit Perëndimor". Pra ajo është kundër anëtarësimit të kandidatëve të rinj. Por ultra të djathtët duan që shtetet e Ballkanit Perëndimor t'i mbajnë larg Gjermanisë refugjatët. Për këtë arsye shkruajnë "se e mbështesin bashkëpunimin në fushën e sigurisë për migrimin me Ballkanin Perëndimor". Mendimet e kësaj partie për zgjerimin e Bashkimit Evropian do të mbeten thjesht si shënim, pasi të gjitha partitë e tjera kanë deklaruar se për ta AfD është e papranueshme si anëtare koalicioni.

Migrimi në programe: SPD dhe Të Gjelbrit me oferta

CDU/CSU është për një "migrim të rregullt dhe sipas rregullave të qarta". Por njëkohësisht shkruan në program që "njerëzit me origjinë migrantësh" duhet t'i kenë të gjitha të drejtat, "kur mbështesin vlerat tona, u përmbahen ligjeve tona dhe kur flasin gjuhën tonë." 

Socialdemokratët tregohen më bujarë. Ata mbështesin për shembull mbajtjen e disa nënshtetësive nga një person. Bashkimin familjar po të vinin në pushtet socialdemokratët do ta zgjeronin më tej.  P.sh. ato do të lejonin të vijnë në Gjermani si përkujdesës të të miturve pa prindër edhe motrat dhe vëllezërit e të miturve.

Kurse Të Gjelbrit, e shohin Gjermaninë si një "shoqëri të larmishme imigrimi". Ata kërkojnë një "ligj migrimi me rrugë të reja", shprehen se mbështesin si migrimin për punë, ashtu edhe migrimin për t'u shkolluar. 

Edhe liberalët e FDP-së janë pro migrimit, por kërkojnë që të zgjidhen paraprakisht ata migrantë që do të lejohet  të qëndrojnë në Gjermani.  Kështu kryetari i kësaj partie, Christian Lindner është shprehur se "ne kemi nevojë për duart e palodhura dhe mendjet e zgjuara të migrantëve, që i zgjedhim ne”.

Image

Kontekst: partitë në sondazhe

Tri sondazhe të ditëve të fundit (02.09.-03.09.) të instituteve Kantar (Emnid), Infratest Dimap dhe Forschungsgruppe Wahlen (Grupi kërkimor Zgjedhjet) sugjerojnë se Partia Socialdemokrate e Gjermanisë, SPD mund të marrë në zgjedhjet parlamentare të 26 shtatorit 25% të votave; CDU/CSU 21-22 përqind; Aleanca 90/ Të Gjelbrit nga 16-19 përqind; liberalët e FDP nga 11-13 përqind. Partia E Majta merr nga 6 deri 7 përqind, kurse partia ultra e djathtë, Aleanca për Gjermaninë, AfD merr nga 11 deri 12 përqind. 

Por domethënia e shifrave është e kufizuar përsa i përket rezultatit faktik të zgjedhjeve. Edhe në këto votime ka shumë zgjedhës të pavendosur. Rezultatet e sondazheve duhen marrë me rezerva edhe për faktin se ato kanë rezultuar të gabuara në Gjermani për referendumin e Brexitit, për zgjedhjet në SHBA në 2016 dhe në zgjedhjet në landin e Saksoni-Anhaltit këtë vit. Megjithatë në zgjedhjet parlamentare nacionale, gabimi i rezultatit të sondazheve përballë realitetit të zgjedhjeve ka qenë i vogël. Sipas platformave wahlrecht.de dhe dawum.de sondazhet e kanë kaluar kufirin e gabimit të zakonshëm prej 3% vetëm dy herë në dy dekadat e fundit. 

Të vështirë për ta parashikuar pamjen e qeverisë gjermane pas zgjedhjeve e bën edhe një fakt i ri: në asnjë nga zgjedhjet e mëparshme nuk ka pasur si këtë herë tri parti, që të marrin të tria rreth 20 përqind të votave. Këto parti këtë herë janë CDU/CSU-ja, socialdemokratët dhe Të Gjelbrit. Kjo do të thotë se janë të mundura shumë koalicione për të formuar qeverinë. Gara më e ngushtë për partinë që do të marrë mandatin për të formuar qeverinë aktualisht zhvillohet midis CDU/CSU-së dhe socialdemokratëve të SPD. Te CDU-ja preferohet më shumë partia se kandidati për kancelar. Te socialdemokratët preferohet më shumë kandidati për kancelar se partia./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat