Kritika ndaj BE-së për mbështetje të paktë ndaj afganëve

Evropë

Kritika ndaj BE-së për mbështetje të paktë ndaj afganëve

Më: 16 shtator 2021 Në ora: 13:23
Dy gra ulur në një stol, pasi familjet refugjate afgane mbërritën nga Kabuli në Francë më 31 gusht 2021.

Grupet e të drejtave të njeriut dhe të refugjatëve po i bëjnë thirrje Bashkimit Evropian (BE) të tregojë gatishmëri më të madhe për të mbrojtur afganët që po përpiqen të largohen nga vendi i tyre pasi ndjehen të rrezikuar nga talibanët të cilët e morën vendin nën kontroll muajin e kaluar.

"Në vend që të shmanget, BE-ja duhet të ndajë përgjegjësinë për t'u ofruar atyre mbrojtje", thanë Amnesty International, Caritas Europa dhe 22 organizata të tjera në një deklaratë të përbashkët më 16 shtator.

Ato iu bënë thirrje 27 shteteve anëtare të BE -së që "të zgjerojnë mundësitë për njerëzit që kanë nevojë për mbrojtje, përfshirë përmes një programi ambicioz dhe shtesë të zhvendosjes për refugjatët afganë".

Ende nuk ka pasur një reagim nga BE-ja.

Agjencia e azilit e BE-së (EASO) raportoi më 16 shtator se kërkesat për azil nga ana e afganëve u rritën për të pestin muaj radhazi.

Dhjetëra mijëra afganë u larguan nga vendi pasi talibanët rrëzuan qeverinë e mbështetur nga Perëndimi në Kabul një muaj më parë.

Mijëra njerëz të tjerë duan të largohen nga vendi i shkatërruar nga lufta, varfëria dhe thatësira.

Vendet evropiane kanë frikë se mund të përsëritet skenari i vitit 2015 kur 1 milion njerëz ikën nga luftrat dhe varfëria në Lindje të Mesme dhe ia mësyen vendeve evropiane.

Disa vende evropiane po mbajnë qëndrim të përbashkët për mospranimin e më shumë refugjatëve afganë në Bashkimin Evropian.

BE-ja ka pranuar mijëra refugjatë afganë përmes një evakuimi të organizuar dhe të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Të evakuuarit kanë qenë kryesisht personat që kanë punuar me forcat e huaja në këtë vend dhe familjet e tyre.

"Na vjen keq për retorikën mashtruese dhe alarmante të shprehur nga disa udhëheqës evropianë në javët e fundit", thanë grupet e të drejtave të njeriut në deklaratën e tyre.

Sipas deklaratës, Irani dhe Pakistani aktualisht strehojnë gati 90% të afganëve të zhvendosur. Në këto dy vende janë mbi dy milionë refugjatë të regjistruar. Organizatat thonë se këtë përgjegjësi nuk duhet ta mbajnë vetëm këto dy vende./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat