Kundërpërgjigje ndaj Aukusit, Ambasadori i Francës largohet nga Australia

Evropë

Kundërpërgjigje ndaj Aukusit, Ambasadori i Francës largohet nga Australia

Më: 18 shtator 2021 Në ora: 15:31
Jean-Pierre Thebault

Ambasadori i Francës në Australi, Jean-Pierre Thebault, është parë në Aeroportin e Sidneit të shtunën, kjo pasi ishte dhënë vendimi që ai të tërhiqej nga pozita e tij në Australi, në shenjë proteste ndaj një marrëveshjeje sigurie e cila e përfshin Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Franca ka thënë se po i tërheq ambasadorët e saj në SHBA dhe Australi. Lëvizja është një shfaqje e paparë zemërimi midis aleatëve.

Ministri i Jashtëm francez tha se ky vendim i jashtëzakonshëm justifikohet me dinamikën e jashtëzakonshme të situatës.

Aleanca, e njohur si Aukus, do t’i mundësojë Australisë që t’i jepet teknologjia për të ndërtuar nëndetëse me energji bërthamore, shkruan AP dhe BBC, shkruan AP, transmeton Klankosova.tv.

Ky veprim zemëroi Francën pasi anuloi një marrëveshje shumë miliardë dollarëshe që kishte nënshkruar me Australinë.

Marrëveshja po shihet si një përpjekje për të kundërshtuar ndikimin e Pekinit në detin e kontestuar të Kinës Jugore.

Për këtë marrëveshje njoftuan të mërkurën presidenti amerikan Joe Biden, kryeministri britanik Boris Johnson dhe homologu i tij australian Scott Morrison.

Pakti do të thotë që Australia do të bëhet vendi i shtatë në botë që mund të operojë me nëndetëse me energji bërthamore. Përmes kësaj marrëveshje aleatët do të ndajnë edhe eksperiencat në kibernetikë, inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e tjera nënujore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat