Dilema klimatike e Gjermanisë ndërsa afrojnë zgjedhjet

Evropë

Dilema klimatike e Gjermanisë ndërsa afrojnë zgjedhjet

Më: 19 shtator 2021 Në ora: 19:57
Foto ilustrim

Ndërsa Gjermania përgatitet të zgjedhë një udhëheqës të ri në fund të këtij muaji, ndryshimet klimatike janë në krye të axhendës. Qindra njerëz gjetën vdekjen në korrik nga përmbytjet e mëdha, për të cilat shkencëtarët fajësuan ngrohjen globale. Por siç njofton nga Gjermania korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, vendi është gjithashtu emetuesi më i madh i dioksidit të karbonit në Evropë dhe po përpiqet të zvogëlojë gradualisht shfrytëzimin e burimeve të ngurta të energjisë.

Është e vështirë të besohet se lumi i butë Ahr që përshkon vreshtat e Gjermanisë perëndimore do të shndërrohej në një forcë kaq shkatërruese. 134 njerëz humbën jetën pasi ujërat e përmbytjes dolën nga shtrati tetë javë më parë, duke marrë me vete gjithçka që u dilte përpara.

Ndërsa uji derdhej nga kodrat e thepisura, niveli i lumit u rrit me mbi nëntë metra në vetëm pak orë. Shumë nga banorët nuk kishin mundësi të shpëtonin. Shkencëtarët kanë fajësuar ndryshimet klimatike për intensitetin e reshjeve.

Për të mbijetuarit kanë qenë dy muaj rraskapitës. Një përpjekje e përditshme për të rindërtuar jetën mes pluhurit mbytës, mes pikëllimit, shokut dhe pranimit të faktit se jeta në këto komunitete nuk do të jetë kurrë më e njëjtë.

“Qyteti mbeti i copëtuar. Dhe ka shumë shtëpi që nuk do të rindërtohen. Problemi themelor është se me ndryshimin e klimës, me këtë shi të madh që ka ndikuar Gjermaninë, duhet të marrim një përqasje tjetër", thotë Vera Zicken, banore në qytetin Altenahr.

A do t'i bindë kriza klimatike votuesit gjermanë që të zgjedhin një përqasje të re? Partia e Gjelbër e Gjermanisë është aktualisht e treta në anketime, që tregon se mbështetja ka rënë në të vërtetë javët e fundit. Partia fajëson një ndarje mes brezave.

“Kishim verë me thatësirë, kishim reshje ekstreme, kishim shumë probleme në pyjet tona. Pra, ne mendojmë se ndryshimi i klimës është i vërtetë dhe po ndodh. Sidoqoftë, ne shohim një ndarje të qartë mes të rinjve dhe të moshuarve. Të rinjtë nën moshën dyzet vjeç kanë prirje t'i japin përparësi çështjeve mjedisore, çështjeve të klimës kur marrin vendimin për të votuar. Njerëzit e moshuar jo”, thotë Paula Piechotta, kandidate e Partisë së Gjelbër nga qyteti Leipzig.

Ekziston edhe një ndarje gjeografike. Në Saksoni, në Gjermaninë lindore, ndodhen disa nga minierat më të mëdha në Evropë të linjitit - i njohur zakonisht si "qymyrguri ngjyrë kafe". Është ndër burimet më ndotëse dhe më pak efikase të energjisë.

Gjermania planifikon të mbyllë të gjitha minierat e saj të qymyrit ngjyrë kafe deri në vitin 2038 - dhe disa duan që ato të mbyllen shumë më shpejt. Por ka dy pikëpyetje të mëdha: çfarë do t'i zëvendësonte dhjetëra mijëra vende pune që do të humbeshin në një zonë me depresion ekonomik të Gjermanisë? Dhe çfarë do të zëvendësonte qymyrin ngjyrë kafe që siguron njëzet përqind të energjisë elektrike të Gjermanisë?

Me Gjermaninë që po heq dorë nga energjia bërthamore deri në fund të vitit 2022, zyrtarët lokalë thonë se linjiti i tyre mbetet jetik për begatinë e Gjermanisë.

“Qymyri i kaftë është ende burimi numër një i energjisë në shtetin tonë. Era dhe dielli janë të shkëlqyera, por kur dielli nuk shkëlqen ose kemi një ditë pa erë, furnizimi me energji bazë për sektorin industrial duhet të jetë i vazhdueshëm. Ekziston një thënie e Gjermanisë Lindore: 'Unë jam një minator, kush mund të bëjë më shumë se unë?' Kjo në thelb do të thotë se minatorët janë themeli i ekonomisë", thotë Rüdiger Erben, i degës së Partisë Social Demokrate në Saksoni-Anhalt.

Ndërkaq në luginën e lumit Ahr, shumë banorë thonë se janë shumë të zënë me rindërtimin për t'u shqetësuar për politikën. Por ka edhe zhgënjim.

"Sigurisht që ndryshimi i klimës ishte padyshim pjesë e shkakut, por nuk ishte shkaku i vetëm. Ata të gjithë dështuan këtu - (Kancelarja Angela) Merkel dhe njerëzit e saj dështuan. Por unë gjithashtu besoj se dështuan edhe politikanët e shtetit", thotë Hans-Jakob Zmudczynski, banor në Altenahr.

Pasardhësi i Kancelares Merkel përballet me sfida të mëdha: trajtimin e krizës klimatike, ndërsa duhet të fuqizojë ekonominë më të madhe të Evropës; afrimin e të rinjve të ndërgjegjshëm për klimën me brezat e vjetër, si dhe duke vazhduar balancimin e ndarjes së vazhdueshme ekonomike të Gjermanisë midis lindjes dhe perëndimit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat