Partia pro-Putinit fiton shumicën në zgjedhje. Rivalët: Manipulime të gjera

Evropë

Partia pro-Putinit fiton shumicën në zgjedhje. Rivalët: Manipulime të gjera

Më: 20 shtator 2021 Në ora: 19:35
Presidneti rus, Vladimir Putin

Partia “Rusia e Bashkuar”, mbështetësja e Presidentit Vladimir Putin, fitoi shumicën dërrmuese në zgjedhjet parlamentare, në një proces ku kritikët më të zëshëm të saj u penguan të konkurrojnë. Rivalët politikë folën për manipulime në shkallë të gjerë.

Të hënën ndërsa janë numëruar 98% e votave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se “Rusia e Bashkuar” kishte fituar rreth 50 për qind të votave dhe se e dyta pas saj renditej, “Partia Komuniste”, me rreth 20 për qind të votave. Në zgjedhjet e fundit, ato të 2016, “Rusia e Bashkuar” fitoi 54 për qind të votave.

Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve “Rusia e Bashkuar” pritet të ketë më shumë se dy të tretat e deputetëve në dhomën e ulët të parlamentit me 450 vende, që njihet si Duma Shtetërore. Kjo do t'i japë asaj mundësi të miratojë çdo ligj pa pasur nevojë të mbështetet tek partitë e tjera.

Kremlini e përshëndeti rezultatin, duke thënë se “Rusia e Bashkuar”, për themelimin e së cilës ka ndihmuar vetë zoti Putin, kishte vërtetuar rolin e saj si parti kryesore. Zgjedhjet, sipas Kremlinit, kishin qenë konkurruese, të hapura e të ndershme.

"Komunistët kanë përmirësuar rezultatin e tyre dhe ka parti të reja që kanë përparuar gjithashtu", tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, i cili vlerësoi mënyrën se si ishin zhvilluar zgjedhjet.

Kritikët e Kremlinit flasin për manipulim në shkallë të gjerë të votave. Ata thanë se zgjedhjet ishin një mashtrim dhe se sistemi elektronik i ri i votimit që u zbatua në këtë proces, ishte përdorur për të penguar kundërshtarët e “Rusisë së Bashkuar” që të fitonin në Moskë.

Disa komunistë me qendër në Moskë, të cilët mendojnë se pati manipulime, bënë thirrje për një protestë në kryeqytetin rus të hënën në mbrëmje. Sheshi qendror ku ata thanë se do të mbahej protesta u mbyll nga policia të hënën pasdite.

Autoritetet elektorale thanë se kishin anuluar rezultatet e atyre qendrave të votimit ku kishte patur parregullsi të dukshme dhe se procesi përgjithësisht kishte qenë i rregullt.

Aleatët e kritikut të Kremlinit Aleksei Navalny kishin organizuar një fushatë taktike votimi të ideuar për të ulur mbështetjen ndaj “Rusisë së Bashkuar”, popullariteti i së cilës është më i ulët se dikur për shkak të një përkeqësimi të standardeve të jetesës. Autoritetet u përpoqën të bllokojnë të ashtuquajturën nisma për votim inteligjent në internet.

Rezultati i zgjedhjeve nuk ka gjasa të ndryshojë terrenin politik, në kushtet kur zoti Putin, i cili ka qenë në pushtet në pozitat e presidentit apo kryeministrit që nga viti 1999, vazhdon të jetë dominues para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale që mbahen në vitin 2024. Zoti Putin nuk e ka bërë ende të ditur nëse do të kandidojë.

Në një reagim të tij Departamenti amerikan i Shtetit tha se zgjedhjet në Rusi u zhvilluan në kushte jo të favorshme për të qenë të lira dhe të drejta. Uashingtoni tha se përdorimi nga qeveria ruse i ligjeve sikurse ai për "organizatat ekstremiste", "agjentët e huaj" dhe "organizatat e padëshiruara", kufizuan tej mase pluralizmin politik dhe nuk lejuan që populli rus të ushtrojë të drejtat e tij civile e politike./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat