Edhe një rus akuzohet për helmimin e Skripalit

Evropë

Edhe një rus akuzohet për helmimin e Skripalit

Më: 21 shtator 2021 Në ora: 16:23
Personeli ushtarak i Mbretërisë së Bashkuar në shtëpinë e ish-spiunit rus, Sergei Skripal, në Sallsbëri të Anglisë. Shkurt, 2019.

Policia britanike konfirmoi akuzat kundër një personi të tretë, në rastin e helmimit të ish-agjentit rus, Sergei Skripal.

Policia tha se janë mbledhur prova të mjaftueshme kundër një personi të njohur si Sergei Fedotov, për ta akuzuar atë për komplot për të kryer vrasje dhe vrasje në tentativë, si dhe për posedim dhe përdorim të armëve kimike dhe shkaktim të lëndimeve të rënda trupore.

“Hetimet e policisë kanë zbuluar prova që tregojnë se ‘Sergey Fedotov’ është një pseudonim për ‘Denis Sergeev’ dhe se ai është anëtar i shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse, GRU”, tha policia britanike.

Skripal dhe vajza e tij, Yulia, janë helmuar në mars të vitit 2018 me agjentin nervor Noviçok.

Ata janë gjetur pa ndjenja në qytetin britanik, Sallsbëri, por i kanë mbijetuar sulmit.

Britania, më herët, ka akuzuar edhe dy oficerë të tjerë të GRU-së, të cilët kanë udhëtuar në Mbretërinë e Bashkuar nën emrat Ruslan Boshirov dhe Aleksandr Petrov, për kryerjen e sulmit.

Ueb-faqja hulumtuese Bellingcat e ka identifikuar më vonë Boshirovin si Anatoly Chepiga dhe Petrovin si Alexander Mishkin - të dy oficerë të GRU-së.

“Ne nuk do të aplikojmë në Rusi për ekstradimin e tyre, pasi Kushtetuta ruse nuk e lejon ekstradimin e shtetasve të saj”, tha policia britanike, por shtoi se kundër tyre janë lëshuar urdhërarreste evropiane./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat